Në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është mbajtur takimi i parë i grupit punues për përcaktimin e procedurave për themelimin e Njësisë së përkthimit, harmonizimit dhe kontrollim gjuhësor në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kryesuar nga Komisioneri për gjuhët, Slavisa Mladenoviq, qëllimi i këtij grupi punues është zbatimi i Koncept dokumentit për themelimin e Njësisë së harmonizimit, detyra e të cilit do të ishte analizimi i përkthimit të projektligjeve dhe harmonizimi i versioneve në gjuhët zyrtare.
Gjatë takimit të grupit punues u diskutuan ne parim propozimet për formimin dhe sistematizimin e Njësisë së harmonizimit në Zyrën e Kryeministrit, çështjet e personelit, buxhetit, si dhe krijimit të kushteve formale për themelimin dhe funksionalizimin e saj.
Përveç anëtarëve të përhershëm të grupit punues, morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe IOM-it si vëzhgues dhe donatorë. Gjatë takimit të sotëm përfaqësuesit e këtyre organizatave para anëtarëve të grupit punues i prezantuan planet për mbështetjen e krijimit të Njësisë. Takimi i radhës i Grupit të Punës është planifikuar të mbahet më 12 dhjetor.