Dhjetëra pasagjerë, kryesisht mërgimtarë që po ktheheshin nga pushimet, kishin planifikuar të udhëtonin nga Prishtina për në Dusseldorf të Gjermanisë më 20 gusht, ata u nisën në orën 10:53, me një vonesë të vogël, 10 minutësh.
Ndërsa të gjithë prisnin që udhëtimi të përfundonte sipas planit, me aterim në aeroportin e Dusseldorfit në orën 13:15, por vetëm disa minuta pasi u ngritën nga toka dhe fluturuan mbi qiellin e Prishtinës, diçka e papritur ndodhi.
Aeroplani Airbus A320-231, i regjistruar në Bullgari dhe që ishte duke u operuar nga GP Aviation, filloi të kryente manovra të pazakonta mbi territorin e Prishtinës, pasi një nga motorët e tij pësoi defekt.
Pas 32 minutash rrotullimesh mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, aeroplani u detyrua të kthehej dhe të ateronte në pistën nga ku ishte nisur, duke anuluar kështu fluturimin për në Dusseldorf.
Fluturimi dështoi për shkak të defektit në motorin e fluturakes bullgare, e cila menaxhohet nga kompania GP Aviation.
Pavarësisht përpjekjeve të albinfo.ch për të marrë një konfirmim zyrtar për ngjarjen e 20 gushtit në hapësirën ajrore të menaxhuar nga autoritetet kosovare, përgjigjet ishin të pakta.
Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror, e cila menaxhon hapësirën ajrore të Kosovës, nuk dha asnjë koment lidhur me incidentin, duke ia kaluar përgjegjësinë Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Në një përgjigje zyrtare, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror deklaroi se kompetencat e saj kufizohen vetëm në ofrimin e shërbimit të navigacionit ajror, ndërsa çështjet e tjera janë jashtë fushëveprimit të ASHNA-së. Për këtë arsye, thanë se përgjigjet i takojnë Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Pavarësisht insistimit të albinfo.ch për të marrë një deklaratë zyrtare në autoritetin që referoj ASHNA, që është AAC, për këtë rast, ata nuk iu përgjigjën fare pyetjeve të redaksisë.
Ndërkohë, redaksia mori konfirmimin e incidentit nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA).
Përmes një përgjigjeje elektronike, KHAIA informoi se aktualisht janë në fazën e mbledhjes së informacioneve zyrtare dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit të datës 20 gusht 2024, nuk mund të japin informacione të tjera.
Për panikun e krijuar më 20 gusht 2024, kur pasagjerët që u nisën për në Dusseldorf e u kthyen prapa pas 30 minutash manovrimi mbi Kosove, nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar as Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari,” i cili menaxhohet nga kompania turke “Limak.” (Shih flightradar24.com)
Mediat në Prishtine kishin raportuar për një tjetër incident ndodhi më 20 qershor të po këtij viti, ku në orën 17:08, kur aeroplani A320 i EASYJet po përgatitej për fluturimin drejt Gjenevës. Gjatë përgatitjes për t’u ngritur nga pista 35 e Aeroportit Adem Jashari, një automjet u fut papritmas në rrugën e tij.
Ky incident i fundit, i ndodhur në fund të qershorit, është aktualisht nën hetim nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike. Autoritetet zvicerane kanë publikuar një raport më 16 gusht, ku Bordi Zviceran për Hetimet e Sigurisë (SUST) e cilëson këtë ngjarje si një “incident serioz.”
Një tjetër ngjarje aeronautike e rëndë ndodhi më 24 shkurt 2023, kur aeroplani i linjës Prishtinë-Malmö i operatorit “Trade Air,” për pak sa nuk u përplas me aeroplanin që vinte nga Dusseldorfi, i operuar nga kompania bullgare “GP Aviation.”
Vetëm pas raportimit ekskluziv të emisionit Kiks Kosova në mars të vitit të kaluar, hetimet filluan. Raporti përfundimtar përcaktoi se shkaku i këtij incidenti ishte faktori njeri.