U prezantua si pjesëtar i FSK-së dhe i mashtroi dy gra, Gjykata merr vendim për ferizajasin

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për A.M., i cili dyshohet se ka mashtruar dy gra grua duke iu premtuar se mund t’u ndihmojë në shërimin e tyre dhe për këtë shërbim iu kishte kërkuar para.

Dyshohet se A.M. gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti, në një fshat të komunës së Ferizajt, është prezantuar si pjesëtar i FSK’së dhe iu ka premtuar të dëmtuarave B.S. dhe V.S., duke i nxitur që t’i japin para në vlera prej 9 mijë e 900 eurove për shërimin e dhëmbëve, shërbime noteriale, ilaçe të mushkërive e shërimin e B.S. në një spital privat në Prishtinë dhe Tiranë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2021, në një fshat të Komunës së Ferizajt, në vazhdimësi me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK, dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person që ka mundësi të ndihmojë në shërimin e B.S. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material të dëmtuarave V.S dhe B.S., i mashtron të njëjtat duke e vazhduar lajthimin, në atë mënyrë që të njëjtat i nxit që ti japin para në vlera prej 9.900 euro, për shërimin e dhëmbëve, shërbime noteriale, ilaçe të mushkërive, për shërimin e B.S. në një spital privat në Prishtinë dhe Tiranë”, ka njoftuar Gjykata.

Për veprën “Mashtrimi”, ndaj ferizajasit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme