Sulmet dhe shpërthimet me raketa janë raportuar pranë qyteteve të mëdha në Ukrainë, ndërsa forcat ruse nisën një sulm të madh ushtarak.
Tetiana Kashtanova, nga Kievi thotë: “U zgjuam në orën 5 të mëngjesit sepse dëgjuam disa shpërthime. Kështu nisi dita jonë.”
“Shumë njerëz po përpiqen të largohen tani, kështu që ka një bllokim të madh trafikun.”
Tetiana thotë se nuk e di se çfarë do të ndodh dhe shton se nëse i jepet mundësia të largohen në Perëndim do ta bëjnë.
Më parë ajo ishte strehuar në një parkim nëntokësor, por tani është kthyer në banesën e saj.
“Ne po flasim me miqtë tanë duke u përpjekur t’i qetësojmë të gjithë”, thotë ajo, duke shtuar “ne besojmë në ushtrinë tonë”.
“U zgjova nga bombardimi”
Këtu është një tjetër rrëfim për atë që po ndodh në Kharkiv, një qytet në veri-lindje të Ukrainës. Victoria Vota natha se u zgjua në 5 të mëngjesit nga “tingujt e bombardimeve”.
“Fqinjët e mi i binin ziles së derës duke më thënë se ishte koha të largohesha dhe ndoshta të evakuohesha nga qyteti.”
Por ajo shton se qeveria ka thënë të qëndrojnë në shtëpi nëse është e mundur dhe thotë se “nuk jemi të sigurt nëse evakuohemi”.
Ajo thotë se ushtria “po bën më të mirën”.
Tronditje, tmerr dhe hutim në Moskë
Ndërkohë fjalët tronditje, tmerr dhe hutim, përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shumë njerëzve në kryeqytetin rus këtë mëngjes.
Sapo u shfaq lajmi për sulmin ushtarak kundër Ukrainës, qytetarët e Moskës filluan të shkëmbejnë mesazhe, duke pyetur njëri-tjetrin se çfarë duhet të bënin – të rezervonin ushqime apo dollarë amerikanë?
Të tjerë pyesin se çfarë do të ndodhë me rublën pasi Bursa e Moskës ndaloi tregtimin.
Në banka dhe pika të këmbimit valutor ka radhë dhe është shtuar edhe prania e policisë në rrugë.
Ata që kundërshtojnë luftën kundër Ukrainës po diskutojnë mundësinë e mbajtjes së një mitingu në Moskë këtë mbrëmje.
Leja për një tubim të tillë nuk ka gjasa të jepet.