Për kontributin e shquar në sigurimin e paqes dhe lirisë në vend, rolin gjatë vitit 1999 dhe këtej, mbështetjen e pareshtur të institucioneve të vendit dhe qytetarëve të saj, si dhe misionin human në Kosovë, UBT i ka ndarë çmimin “Excellence Leadership Award”, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Çmimin në një ceremoni solemne në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, e ka ndarë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, çmim i cili u pranua nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari, si dhe shefi i stafit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral brigade John Maier.
Rektori Hajrizi, në fjalën e tij tha se prezenca e KFOR-it në Kosovë siguroi paqe në vendin tonë, si dhe solli një stabilitet mes qytetarëve të një vendi të dalë nga lufta.
“Është interesante, unë jam themeluesi i UBT-së dhe u ktheva në Kosovë pas lufte. Për shkak të krizës në Kosovë, vazhdova shkollimin në një vend tjetër. Kjo ishte një mundësi të kthehesha në Kosovë. Kjo mundësi erdhi falë kontributit të komunitetit ndërkombëtar në sigurimin e paqes dhe lirisë në Kosovë”, potencoi mes tjerash rektori Hajrizi.
Gjeneral major Ferenc Kajari tha se është nder dhe privilegj për të që ta pranojë këtë çmim prestigjioz nga UBT, dhe se është i lumtur që kontributi i KFOR-it po vlerësohet.
Përmes këtij çmimi, UBT si institucion i arsimit të lartë që ka krijuar një ekosistem të gjerë të dijes, e ndan për personalitetet dhe institucionet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh në sfera të ndryshme të jetës.