Sot për disa UÇK-ja është e mirë, por vetëm kur është te varret. Po qe jashtë varreve në te dyshohet. Edhe më keq, po qe jashtë varreve dhe në pushtet atëherë përjashtohet, mallkohet dhe dërgohet në Gjykatë.
Sot për disa, UÇK-ja është vlerë e shenjtë, por vetëm nëse lidhet me të vdekurit, veprën dhe flijimin e tyre, po ama jo edhe me të gjallët, pavarësisht se edhe të mbeturit gjallë ishin UÇK, të gatshëm për flijim e të guximshëm për të luftuar.
Sot për disa UÇK-ja është vlerë e shenjtë por vetëm nëse ajo nuk ka fytyra të njerëzve të gjallë. Mundësisht, edhe më mirë, vetëm nëse UÇK është histori, fotografi, epitaf, gurë varri, emblemë.
Sot për disa UCK-ja është vlerë historike, por vetëm nëse ajo është e njëjtë për të gjithë dhe e të gjithëve. Sipas këtyre nuk duhet të jetë më shumë në asnjë variantë e atyre që kanë luftuar, sidomos jo e atyre që luftuan por janë ende të gjallë.
Sot disa e duan LIRINE PA EMËR e këta harrojnë se shenja e parë e robërisë është kur lirisë i harrohet emri.