Cristiano Ronaldo ishte në skuadrën e vitit të zgjedhur nga tifozët në Ligën e Kampionëve, por thuhet se UEFA ndryshoi formacionin për të akomoduar yllin e Juventusit.
Dje (e mërkurë) gjatë ditës, faqja zyrtare e Ligës së Kampionëve publikoi formacionin më të mirë të vitit 2019.
Ky formacion u zgjodh pasi siç u tha aty votuan mbi dy milion tifozë duke zgjedhur lojtarët e tyre të preferuar.
Në portë gjendej Alisson Becker, ndërsa mbrojtja përbehej nga Trent Alexander-Arnold, Virgil Van Dijk, Matthijs de Ligt dhe Andry Robertson.
Në mesfushë vend kishin fituar Frenkie de Jong dhe Kevin de Bruyne, ndërsa në sulmin me katër lojtarë ishin Lionel Messi, Sadio Mane, Robert Lewandowski dhe Cristiano Ronaldo.
Megjithatë, mediumi i njohur britanik Daily Mail ka zbuluar një mashtrim skandaloz të bërë nga UEFA në formacionin e vitit.
Sipas tyre, mesfushori i Chelseat, N’Golo Kante u largua nga formacioni zyrtar, pasi UEFA vendosi të ndryshojë formacionin për ta mbajtur Ronaldon në ekipin e vitit 2019.
Ata shtojnë se UEFA e ka zgjedhje tradicionale formacionin 4-3-3, ndërsa ai ishte ndryshuar në një formacion 4-2-4 për Ronaldon.
Messi, Mane dhe Lewandowski ishin sulmuesit që mblodhën numër më të madh votash, ndërsa Ronaldo do të mbetej jashtë.