Duke nisur nga viti 2021, klubet europiane të futbollit do të kenë mundësinë për të garuar për një tjetër trofe kontinental, i treti pas Champions League dhe Europa League.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, që u mblodh në Dublin me rastin e shortit të kualifikueseve për Euro 2020, vendosi gjithashtu të aprovojë kompeticionin e ri, që do të quhet “Europa League II”, një ide kontroverse që mbetet gjithsesi për t’u parë nëse do të ketë sukses, apo do t’i shtohet kalendarit të tejngjeshur të ekipeve, përcjell TCH.
Në strukturën e tij, turneu i ri i UEFA-s do të jetë një pasqyrë e kupave ekzistuese. Do të marrin pjesë 32 skuadra, të cilat do të ndahen në 8 grupe me nga 4 pjesëmarrës. Më pas do të implementohet faza e eliminimit të drejtpërdrejtë deri në finalen e madhe, ndërsa tifozët po evokojnë një turne të mëparshëm të ngjashëm si Kupa UEFA.
Ndeshjet për turneun e ri të aprovuar nga qeveria e futbollit kontinental do të luhen çdo të enjte në orën 16:30 dhe fituesja do të ketë të drejtë të hyjë automatikisht në fazën finale të Europa League. Asnjë variacion nga pikëpamja e kalendarit për Championsin, që do të vazhdojë të zhvillohet sipas traditës, të martave dhe të mërkurave.