Ndeshjet elite të grupit të pestë për Kampionatin evropian U-17 “Irlanda 2019” janë paraparë që të zhvillohen në Spanjë, mirëpo tani do të luhen në Zvicër.
Një vendim të tillë e ka marrë UEFA, në saje të këmbëngulësisë së presidentit Agim Ademi që Kombëtarja kosovare të paraqitet me të gjitha simbolet në këto ndeshje, gjë që nuk është pranuar nga autoritetet spanjolle, transmeton Klan Kosova.
Edhe pse gjatë Kongresit të UEFA-s, presidenti Agim Ademi ka kërkuar nga homologu i tij spanjoll, Luis Rubiales, që të shfrytëzojë ndikimin e tij tek institucionet spanjolle që të mos pengojnë hyrjen e ekspeditës kosovare në asnjë formë, kjo nuk ka pasur sukses.
Kësisoj, presidenti Ademi bëri presion tek UEFA për ta zgjidhur këtë çështje dhe si rrjedhojë institucioni i futbollit evropian vendosi për t’ia marrë organizimin Federatës spanjolle.
Duke pasur parasysh faktin se në grup me Kosovën janë edhe dy shtete tjera që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, Greqia dhe Ukraina, atëherë UEFA ka vendosur që vend mikpritës i ndeshjeve të grupit të pestë të jetë Zvicra.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen prej 20 deri më 26 mars të këtij viti.