UEFA i ka kushtuar një artikull debutimit të Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Të hënën një ëndërr bëhet realitet për komunitetin futbollistik të Kosovës, kur ekipi kombëtar luan zyrtarisht ndeshjen e parë ndërkombëtare në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë – i ndërtuar me ndihmën e programit të asistencës ‘HatTrick’ të UEFA-së”, nis artikulli në faqen zyrtare të UEFA-së.
Ky shkrim vjen në prag të sfidës së sotme të Kosovës ndaj Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve, “që zhvillohet në arenën e renovuar – e emëruar në kujtim të ish-presidentit të FFK-së dhe ish-lojtarit të shquar, i cili vdiq në qershor”.
“Do të jetë një moment krenarie dhe i paharrueshëm për shoqatën më të re të UEFA-së, që ishte bërë anëtarja e 55 e UEFA-së në Kongresin e Budapestit më 2016”, thuhet në artikullin e UEFA-së.
UEFA më tutje shkruan se stadiumi, që ka kapacitet prej 12,810 ulëseve, do të përdoret gjithashtu edhe nga klubi lokal KF Prishtina për ndeshjet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Pamja mbresëlënëse e stadiumit është një shembull i shkëlqyer për të treguar se si programi i UEFA-së ‘HatTrick’ jep mbështetje sportive dhe infrastrukturore anëtarëve të saj.
Këto janë prova të mëtejshme bindëse se ‘HatTrick’ është një katalizator vendimtar dhe i paçmuar në rritjen e futbollit në gjithë Evropën.
Nga ora 20:45 Kosova e pret në “Fadil Vokrri” kombëtaren e Ishujve Faroe.