Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) të enjten ka marrë vendim të lejojë kthimin e pjesshëm të shikuesve për ndeshjet që i organizon vetë. Vendimi vlen për Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, si dhe për garat e përfaqësueseve. Javën tjetër luhet plejofi për “Euro 2020”, kurse në Shkup takohen Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Vendimin për lejimin e shikuesve në 30% të kapacitetit të stadiumeve e ka marrë të enjten UEFA në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv. Në njoftimin e UEFA-s thuhet se nuk do të lejohet paraqitja e shikuesve mysafirë. Megjithatë, vendimi final se a do të lejohet hyrja e shikuesve në stadiume u takon shteteve. Në UEFA mendojnë se testi ka kaluar me sukses në ndeshjen e Superkupës së Evropës, që u organizua më 24 shtator në Budapest, transmeton KOHA.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka thënë se vendimi është i arsyeshëm.
“Vendimi është një hap i parë i arsyeshëm, që vendos shëndetin e shikuesve në radhë të parë dhe respekton ligjet e secilit vend. Të gjithë po përballemi me një armik të përbashkët që është COVID-19 dhe disa vende kanë qasje të ndryshme. 27 vende në kontinent tashmë lejojnë në një masë hyrjen e shikuesve. Në këto kohë të vështira është e rëndësishme të rikthehen më shumë shpresa dhe pasioni i jetës dhe shikuesve të futbollit dhe ne i nxisim ata të sillen në mënyrë të përshtatshme dhe të respektojnë masat sanitare në vend për shëndetin e tyre, klubeve dhe ekipeve kombëtare”, ka thënë Çeferin për uebfaqen e UEFA-s.
Kosova të enjten e ardhshme do të luajë në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të plejofit për kualifikimin në “Euro 2020”, që është shtyrë për verën e vitit të ardhshëm për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Kjo ndeshje pritet të luhet pa praninë e shikuesve. Është kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muhamed Sejdini, që të enjten për KOHËN ka theksuar se është kohë e shkurtër për t’u bërë gati ndarja e biletave për shikues. Madje, thotë se nuk e di nëse edhe do të marrë me kohë lejen nga autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut.
Në fakt, në shtetin fqinj rregullat anti-COVID-19 janë goxha më të ashpra se në Kosovë. Nuk u është lejuar kthimi i shikuesve në tribuna për ndeshjet kampionale e as nuk është lejuar kthimi i nxënësve në shkolla. Natyrshëm edhe ndeshja në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka pak gjasa që të luhet me shikues.