Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar raportin e detajuar nga institucioni më i lartë i futbollit evropian (UEFA), pas atij të përgjithshëm që pranoi javën e shkuar lidhur me punimet që po bëhen për rinovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë.
Në raportin 6-faqesh të përpiluar nga tre zyrtarët e UEFA-s që inspektuan, më 4 e 5 prill, stadiumin, paraqiten kritika dhe shqetësime të mëdha, shkruan Koha Ditore.
Me rekomandimet e UEFA-s është e njoftuar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) si financuesja kryesore e projektit që pritet të kapë vlerën e tetë milionë eurove.
Në MKRS nuk flasin për detajet, por thonë se do t’i marrin parasysh të gjitha rekomandimet e UEFA-s.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nuk e di nëse kërkesat shtesë që UEFA i ka paraqitur pas inspektimit do të marrin më shumë kohë dhe para.