Mbi 190 mijë euro, është vlera e borxhit të institucioneve shkollore dhe parashkollore që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës ndaj Ujësjellësit Rajonal Prishtina. Ndërsa borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve të ujësjellësit është rreth 39 milionë euro.
Megjithatë, vlera e pagesës vazhdon të jetë e ulët. Gjatë këtij gjashtëmujori janë paguar vetëm 25 mijë euro nga qytetarët, e për këtë KRU “Prishtina” ka zgjatur orarin e pagesave, shkruan sot Koha Ditore.
Orari i punës në pikat e shitjes është zgjatur për dy orë më shumë, prej tetë orëve në dhjetë. Kjo zgjatje e orarit është bërë që nga data 18 korrik dhe do të zgjasë deri më 1 shtator.
Këtë e ka bërë të ditur Departamenti për Konsumatorë. Arsye e zgjatjes së orarit të punës, sipas KRU “Prishtina”, është bërë për ofrim të shërbimeve sa më cilësore me ardhjen e bashkatdhetarëve.