Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nga muaji janar i këtij viti ka filluar me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Ujësjellësi i kryeqytetit bën me dije se me shkyçje po përballet secili konsumator që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
“Ndëshkimi vlen për secilin konsumatorë, shtëpiak e institucional/komercial. Përveç aplikimit të shkyçjeve individuale të konsumatorëve borxhlinj, KRU ‘Prishtina’, po merret edhe me procesimin e lëndëve te Përmbaruesit Privat. Brenda 10 muajve, janë realizuar mbi 1200 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit. Vetëm në muajin tetor 2018 janë shkyçë 91 konsumatorë”.
Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon KRU “Prishtina” si: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth.
Kjo kompani iu bën thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare.