Ujësjellësi “Prishtina” të premten mban diskutim publik për tarifat e reja, INDEP reagon

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 12:42 | Nga Ekonomia Online

Faturat e ujit pritet të pësojnë po ashtu rritje nga fillimi i vitit të ardhshëm.

KRU “Prishtina” ka njoftuar se të premten do të mbahet diskutim publik për përcaktimin e tarifave të Procesit Tarifor 2022-2024.

Diskutimi do të fillojë në ora 11:00.

Ujësjellësi pritet të prezantojë një propozim që justifikon nivelin e ri tarifor.

Ndërkohë INDEP ka reaguar duke thënë se KRU Prishtina nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për të mbajtur diskutim të premten mbi çmimin e ujit. Bazuar në rregullore ofruesi i shërbimit duhet të publikojë në faqen e vet prezantimin për planin e ri tarifor 10 ditë para diskutimit publik.

“Autoriteti Kosovar për Shërbime të Ujit, në bazë të kompetencave të dhëna me nenin 20, të Ligjit Nr. 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, dhe Kreut V të Rregullores Nr. 12/2020 për Përcaktimin e Tarifave për Shërbimet e Ujit në Kosovë, vë në diskutim publik OBLIGON ofruesin e shërbimit të publikojë prezantimin që justifikon propozimin për nivelin e ri tarifor të paktën 10 ditë para mbajtjes së diskutimit publik. KRU Prishtina nuk e ka publikuar prezantimin për planin e ri tarifor sipas obligimeve ligjore. Ndërsa KRU Prishtina, njofton se do të mbajë diskutim publik nesër, kur ende sot nuk e ka publikuar prezantimin për planin e ri tarifor për shërbime të ujit”, thuhet nga IDEP. “’Mbrojtësit e Konsumatorëve’ fton Autoritetin Kosovar për Shërbime të Ujit që të veprojë sipas kompetencave ligjore që ta ndalojë mbajtjen e këtij diskutimi publik, dhe të detyrojë KRU Prishtina të bëjë publik planin e ri tarifor menjëherë”.

INDEP ka thënë se sipas afateve nëse prezantimi bëhet publik sot, atëherë diskutimi duhet të shtyhet deri më 29 nëntor.

“Praktikat e tilla mashtruese për qytetarët duhet menjëherë të ndalohen dhe autorietet kompetente të dënojnë shkelësit e ligjit. Me ngritjen e çmimeve në të gjitha shërbimet e sektorët që po ndodh kohëve të fundit, tash e kemi rastin të angazhohemi dhe të paktën çmimi i ujit mos të ndryshojë”, thuhet nga INDEP.

Edhe kompania “Pastrimi” ka njoftuar se pritet të rriten faturat e bërllogut.

Zëdhënësja e “Pastrimit”, Arbnore Ademi, në emisionin “SOT” të KTV-së ka thënë se faturat pritet të rriten nga 4.70 euro në 6 euro.

Të ngjashme