Samir Ujkani është rikthyer në Itali pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Kosovës.
I ftuar në një lidhje direkte, në emisionin “Zona Gol”, në Supersport, Samir Ujkani analizon edicionin e parë të përfaqësueses kosovare në arenën ndërkombëtare.
I larguar në vitin 2014 nga Kombëtarja shqiptare, portieri është një prej lojtarëve të parë që iu bashkuan skuadrës.
“Kam qenë ndër të parët që e kanë bërë këtë hap. Ka qenë zgjedhje personale. Tani kanë kaluar shumë vite, kemi bërë edhe ndeshjet kualifikuese. Ka qenë kënaqësi e madhe të luaja për Kosovën, edhe pse rezultatet nuk kanë qenë shumë pozitive”.
Kapiteni i Kosovës e ka të qartë çfarë i nevojitet skuadrës, që të arrijë të shfaqë të gjithë kualitetin e saj në fushë.
Nga trajneri i ri, që sipas gjasave do të jetë i huaj, kërkohet më tepër organizim për të kanalizuar në rrugën e duhur talentin e lojtarëve.
“Kam disa vite eksperiencë në kampionatin italian, por edhe me Kombëtaren shqiptare. Tashmë me djemtë që janë moshë e re, kemi nevojë për një trajner që të jetë më i organizuar. Pas punës së mrekullueshme të Albert Bunjakit, na nevojitet një trajner i ri që të bëjmë një Kombëtare si niveli i Shqipërisë”.
Ujkani është realist kur diskutohet rreth shanseve që Kosova mund të ketë për t’u kualifikuar në Europianin 2020.
“Shorti në Euro 2020? Kemi qenë në një grup shumë të vështirë me 4 super skuadra. Tashmë është Liga e Kombeve, ku kemi shpresa të tregojmë veten më shumë me Kombëtare të nivelit tonë. Duhet të jemi realistë: ne kemi talent, por nuk i kemi ende kushtet për t’u kualifikuar. Është shumë e rëndësishme kush do të jetë trajneri i ri i Kosovës”.
Portieri analizoi edhe diferencat që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke nisur nga infrastruktura, e për të vazhduar me eksperiencën e futbollistëve.
“Organizimi, sepse Shqipëria ka shumë vite, fushat janë gjithashtu të nivelit të lartë. Kosova ka qenë pa fusha, ajo që ka bërë presidenti i Federatës së Kosovës, ka qenë mrekulli që ne u pranuam pa fusha. Lojtarët e Shqipërisë luajnë të gjithë me ekipe të mëdha, ndërsa ne kemi lojtarë të rinj. Unë jam 29 vjeç dhe jam më i madhi në moshë, kjo është diferencë e madhe”, ka deklaruar Ujkani.