Paqja në rajon ka rrezik që të “fundoset” në liqenin më të madh artificial të Kosovës – Ujman. Damari kryesor i ujit për Kosovën është bërë pjesë e diskursit të politikanëve shqiptarë e serbë, që flasin për ndryshim kufijsh e shkëmbim territori, shkruan sot Koha Ditore.
Përpos për prodhimin e 30 megavateve të energjisë elektrike, Ujmani furnizon me ujë disa komuna dhe është kyç në funksionimin e industrisë së rëndë. Nga Mitrovica deri në Obiliq është i ndërtuar hidrosistemi që me ujin e Ujmanit ushqen tokat bujqësore në veriperëndim të Kosovës.
Për Ujmanin nuk flitej shumë derisa Serbia nuk shfaqi hapur pretendimet për hise në këtë resurs. Si argument po e përdor faktin se liqeni gjeografikisht kalon nëpër territorin, të cilin Prishtina zyrtare nuk ka arritur ta fusë plotësisht nën kontroll.
Për pasojë, edhe çezmën e Ujmanit e mbajnë veriorët, të cilët vendosin se sa ujë nga liqeni do t`i japin Prishtinës. Caku final i tyre është futja e Ujmanit nën ombrellën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mekanizëm ky që është në rrugë për t’u themeluar.