Igor Simiq, zyrtar i lartë Listës Serbe që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, duke folur për Ujmanin e Trepçën, ka thënë se ato bëjnë ”litarin e shpëtimit” për veriun Kosovës dhe se argumentet për mbrojtjen e tyre nga serbët janë shumë të fuqishme, transmeton Koha.net.
“Fakti se Serbia ka financuar ndërtimin e komplekseve industriale dhe fakti se ato gjenden në territorin e banuar me 99 për qind nga serbët, janë argument i mjaftueshëm pse këto kapacitete janë me shumë rëndësi për popullin serb, por dhe pse nga Prishtina marrim gjithnjë paralajmërimin se ajo duhet t’i vërë nën kontroll”, ka thënë për radiokim Simiq.
Në pyetjen nëse ka frikë se ndoshta KFOR –i, në një moment, mund të ndërhyjë lidhur me çështjen e pronësisë në këto pika strategjike në veri të Kosovës, Simiq thotë se KFOR duhet t’i përmbahet Rezolutës 1244 të KS të KB-ës, dhe po ashtu, siç theksoi, duhet pasur para sysh edhe se serbët në veri nuk do ta shikojnë mirë KFOR-in nëse ai bëhet mjet në duar e Kosovës për realizimin e ambicieve të saj.
Në pyetjen nëse Kosova lufton për ta mbajtur veriun e Kosovës për shkak të këtyre resurseve edhe si qëllim strategjik, siç e quajnë medie serbe, për lidhjen me “transversalen e gjelbër, Simiq është përgjigjur:
“Atyre u duhet Zveçani sepse aty është Trepça, Zubin Potoku për shkak të Ujmanit, Leposaviqi për shkak të Kopaonikut dhe Mitrovica sepse ajo qendra e vetme urbane ku jetojnë serbët. Po shikuar nga pozita e shqiptarëve, ata do t’i merrnin të gjitha po të ishte e mundur që në ato komuna të mos ketë as serbë ashtu siç nuk ka serbë në 30 komuna në jug “, ka përfunduar ai.