Është sulmuar nga ujqit kopeja e deleve e fermës “Agro Noli” në fshatin Velekincë të Gjilanit.
Së paku 12 copë i ka mbytur ujku aq sa ka mundur t’i gjejë pronari në fushat përreth, por dëmi mund të jetë edhe më i madh.
“Është hera e parë që sulmohet në masë kaq të madhe kopeja e deleve në këto anë. E dhimbshme është që të gjitha kishin qengja në bark”, ka thënë për Koha.net menaxheri i fermës “Agro Noli”, Fadil Mehmeti.
Ai dyshon se nuk ka qenë vetëm një ujk sepse ka mundësi që delet tjera të mbytura i kanë bartur ujqit drejt malit.
“Meqë kopeja është e madhe vështirë është me ditë sa copë mungojnë”, ka thënë ai duke u tërhequr vërejtjen fermerëve tjerë që të kenë kujdes me kafshët që kullosin.