Gjashtë pikat e prezantuara nga Kryeministri Albin Kurti, për pranimin e Asociacionit, sipas analistit politik Fidan Ukaj, janë kushte të cilat kryeministri i ka bërë si kauzë për të dalë nga qëndrimet e më hershme të tij.
Ukaj tha për Ekonomia Online se këto gjashtë pika nuk janë kushte të pa dëgjuara. Sipas tij, ato janë parashtruar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e se vetëm dy pika janë të reja.
“6 pikat e kryeministrit Kurti nuk janë pika të pa dëgjuara më herët. Këto pika, që Kurti i prezantoi si kushtet e tij i kemi dëgjuar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Kjo i bie se pjesa dërmuese e këtyre kushteve kanë qenë më herët, përjashtuar pjesën ku thotë se duhet të ketë edhe një Asociacion për shqiptarët që gjenden në Serbi, ai e përmend reciprocitetin në këtë pikë. Gjithashtu pjesën e njohjes dhe implementimin e marrëveshjes së Asociacionit pas njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë”, u shpreh ai.
Ukaj gjithashtu tha se Kryeministri Kurti e ka pranuar më herët formimin e Asociacionit dhe se prezantimi i këtyre gjashtë pikave nga ai është bërë si pretekst për të dalë nga qëndrimet e tij kundër Asosacionit dhe Zajednicës.
“Kurti Asociacionin e ka pranuar edhe më herët nëse veç e kemi përcjellë pjesën e marrëveshjes së targave, aty thotë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më herët. Por edhe tash së fundi në planin franko-gjerman flitet që është edhe implementimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më herët që përfshinë edhe Asociacionin.
“Këtë prezantimin e 6 pikëshit të Kurtit më shumë e kam parë si kauzë të tij për të dalë nga qëndrimet e më hershme të cilat i ka pasë, që është barrikadu se nuk do të ketë një Asociacion, një Zajednicë dhe tani më ai e ka shpikë, nëse mund të them, këtë 6 pikëshin”, tha ai për EO.
Këto janë gjashte pikat e prezantuara nga kryeministri Albin Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).