Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për krime të rënda është mbajtur seanca gjyqësore për rastin ndaj të dyshuarve për keqpërdorim me viza italiane, grup në të cilin është edhe Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit, Izet Berqirit dhe Florian Petanit, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e trupit Gjykues Fatime Dermaku, ka lejuar që në seancë të marrin pjesë edhe mediet me arsyetimin se interesimi është i madh, kjo duke iu përgjigjur avokatit Besnik Berisha.
“Në këtë seancë janë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre. Ne e konstatojmë se mbahet shqyrtimi gjyqësor që është i hapur për publikun lejohet incizimi me kamera”.
“…avokat kemi transparencë dhe interesi i publikut është i madh”.
Kurse avokati Besnik Berisha, që mbron Izet Beqirin, tha se kanë shprehur vërejtje edhe me shkrim sa i përket evidentimit të medieve dhe personave që nuk janë palë në procedurë
“Asnjë nga vëzhguesit, mediet nuk kanë vend në proces verbal. Seanca është publike po statusi është i njëjtë, por Kodi thotë pjesëmarrjen e palëve”.
Më pas të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat rëndohen.
Prokurorja Florije Shamolli, tha se nga provat që do të administrohen në shqyrtimin kryesor do të dëgjohen 77 dëshmitar.
Tutje Shamolli tha se Ukë Rugova së bashku me të tjerët i’u ka mundësuar të tjerëve viza italiane Schengen me çmim prej 4 mijë euro për persona
“Nga provat qe do të amdinistrohen në shqyrtimin kryesor do të dëgjohen 77 dëshmitarë të cilët do të dëshmojnë se i akuzuari Ukë Rugova së bashku me të tjerët ju ka mundësuar rregullimin e vizave italiane Schengen që klientët kanë paguar shumë të ndryshme deri në 4 mijë euro”.
“Aplikacionet për këta klientë gjatë një kontrolloi u gjetën në shtëpinë e të akuzuarit Ukë Rugova, ndërsa i akuzuarit Florian Petani i ka luajtur rolin për sigurimin e vizave Schengen e të cilat janë dhënë në mënyrë të paligjshme dhe i njëjti përmes komunikimeve të drejtpërdrejta ka biseduar me të akuzuarin Ukë Rugova dhe Izet Beqirin. Provat që do të administrohen siç janë nga përgjimi i telefonave mobil nga vëzhgimi”.
“Mbi bazën e këtyre Gjykata të njëjtin do t’i shpallë fajtorë dhe do t’i dënojë me dënim sipas ligjit”, tha Shamolli.
Avokati i Ukë Rugovës, tha se nga rezultati i hetimit do të vërtetohet se është shkelur norma juridike.
“Pasi që kemi të bëjmë me rifillimin e shqyrtimit gjyqësor për shkak të ndryshimeve të trupit gjykues, unë mbetëm pranë fjalës hyrëse duke shtuar se mbrojtja do të fokusohet se nga rezultati i hetimit jo vetëm se nuk mund të vërtetohet se i mbrojturi ka kryer vepra penale të përfshira në aktakuzë, por do të vërtetohet se është shkelë norma juridike. Do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim”.
Ndërsen i pandehuri Ukë Rugova e ka mbështetur fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij.
Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqirit tha se aktakuza ka pasur për cak familjen Rugova.
Ai tha se emëruesi i përbashkët i dëshmive të këtyre dëshmitarëve është se asnjëri nga ta nuk e kishte kaluar kufirin ilegalisht, raporton EO.
“Aktakuza kishte për cak familjen Rugova dhe familjen e tij, prokuroria synon t’i dëgjojë 77 dëshmitar të cilët do të provoj ë që Ukë Rugova dhe ta tjerët si grup i inkriminuar kriminal se kanë kryer veprën kriminale, por edhe prokuroria është në dijeni se shumica dërmuese e 77 dëshmitarëve kanë dëshmuar para kësaj gjykate se cila pale kam pasur të drejtën”.
“Do të provohet se i vetmi organ që e kishte këtë të drejtë ishte ambasada përkatësisht ambasadori që pavarësisht pretendimeve që dëgjoni nga prokuroria se gjëja aplikantët për viza do të duhej të kishin me vete kontrata puna, sigurim shëndetësorë, para të deponuara, në llogari bankare, ky faj nuk është i vërtet dhe nuk është në përputhje me rregulloren e propozuar si provë”.
I akuzuari Florian Petani, tha se për të njëjtat vepra akuzohet edhe në Itali, ku ka shtuar se as prokuroria e Kosovës dhe as e Italisë nuk janë dakorduar se cila të merret me të.
“Avokti Avdullah Hoti është mbrojtës në gatishmëri. Proceset verbale e shqyrtimit gjyqësor më duhet t’i dërgojë edhe në Itali ku unë po ndiqem penalisht për të njëjta vepra penale dhe të njëjtat fakte. Mbi të gjitha në kundërshtim me nenin 6 të ligjit, as prokuroria në Itali dhe Kosovë nuk e morëm mundin që të koordinohen mes tyre dhe të vihen dakord se cili juridiksion të merret me mua”, tha ai.
Avokatja Luljeta Jashari, mbrojtëse e Qefser Basholli tha se aktakuza është e pa bazuar dhe e pa mbështetur në ligj.
“E njëjta aktakuzë është e pa bazuar dhe e pa mbështetur në ligj sepse nuk kemi të bëjmë me veprën penale krim i organizuar. Vepra paraprake që akuzohet mbrojtësi im dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vite, dhe prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme se roli i tij paka qenë krijimi i dokumenteve të rreme dhe kjo nuk qëndron për faktin se zoti Qefser ka qenë i punësuar te familja Rugova si shofer familjes. Mbrojtja konsideron se të gjitha provat mund të grumbullohen në dy grupe”, tha ajo.
Avokati Korab Bokshi mbrojtës i ish-ministrit Astrit Haraqija, tha se trupi Gjykues është i hendikepuar pasi nuk mund t’i trajtojë kundërshtimet, pasi është trupi i katërt që është duke gjykuar këtë çështje.
“Deklaroj se mbështes kundërshtimet e kolegëve të tjerë. Një kundërshtim i veçantë që konsideroj se për faktin ky trup gjykues me sa mbaj mend unë është trupi gjykues i katërt që gjykon këtë çështje dhe vetë ky trup gjykues është i hendikepuar për faktin se nuk mund t’i trajtojë kundërshtimet. Neve si mbrojtje na pamundësohet një mbrojtje efikase për shkak e gjatë shqyrtimit gjyqësorë me saktësi nuk do të dimë se cilat prova dhe fakte do të na shërbejnë ti atakojmë me qëllim të ofrimit të një mbrojtje sa më cilësore”, tha ai.
I akuzuari Astrit Haraqija tha se akuza ndaj tij është politike.
“Me ka nxit prokurorja që tha se unë e kam furnizuar me aplikacione, dhe prej fillimit ka qenë politike dhe e kam ditë dhe më vjen keq që prokurorja vazhdon lojën e të tjerëve. Vetë një shef i EULEX-it në atë kohë na ka thënë që ti dhe zoti Rugova, kurrë nuk keni me marr partinë dhe kemi me ju qu në burg, dhe deri në Hagë arrita me shku në burg qëndrova 5 muaj , dhe atje shkalla e dytë më shpalli të pa fajshëm”, tha Haraqija.
Ai tha se për shkak të këtij rasti që 5 vjet s’ka mundur të marrë pjesë në zgjedhje.
Seanca e radhës do të mbahet me 31 maj nga ora 10:00.