Nën kërcënimet e sulmeve ruse, lufta e kishte ndërprerë futbollin në Ukrainë në muajin shkurt.
Por, sezoni i ri i ligës ukrainase do të nisë sot në Kiev, me synimin që të rikthehet jeta normale.
Stadiumi Olimpik, i cili ishte njëra prej arenave të futbollit evropiane në dekadën e fundit, do ta presë ndeshjen hapëse ndërmjet Shakhtar Donetskut dhe Metalist 1925 nga Kharkiv, ekipe këto nga qytetet e lindjes, të cilët janë duke luftuar për ekzistencë.
Asnjë tifoz nuk do të lejohet të futet në stadium, i cili ka kapacitet prej 65 mijë ulësesh, ndërsa loja do të fillojë në orën 1 të pasdites, me kohën lokale, shkruan “Gazeta Express”.
Lojtarët duhet të dërgohen me nxitim në strehimoret e bombave nëse bien sirenat e ndonjë sulmi eventual ajror.
“Ne kemi rregulla në rast të alarmit dhe ne duhet të shkojmë në vende me të sigurta”, deklaroi kapiteni i Shakhtarit, Taras Stepanenko në një interviste telefonike me “The Associated Press”, përcjell “Gazeta Express”.
“Mendoj se ekipet dhe lojtarët do të jenë krenarë për këtë eveniment. Ne jemi gati, ne jemi të fortë dhe mendoj se do t’ia tregojmë krejt botës jetën ukrainase dhe se ne duam të fitojmë”, deklaroi tutje veterani i ekipit kombëtar.
Federata e Futbollit e ka marrë lejen e presidentit të shtetit, Volodymur Zelensky për nisjen e kampionatit.
“Kam biseduar me presidentin tonë, Volodymyr Zelensky, se sa i rëndësishëm është futbolli për ta shpërqendruar mendjen nga lufta. Ne biseduam se sa do të ishte e mundshme që futbolli t’i ndihmojë njerëzit për të menduar për të ardhmen”, deklaroi presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, Andriy Pavelko.
Asnjë ndeshje e karakterit garues nuk është luajtur në Ukrainë që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar kur kishte nisur pushimi në mes të dy stinorëve.
Pjesa e dytë e sezonit ishte paraparë të niste më 25 shkurt, por ajo nuk nisi asnjëherë pasi Rusia e nisi sulmin ushtarak në territorin ukrainas një ditë më herët.
16 ekipe do ta nisin ligën pa Desna Chernihiv e Mariupol, ekipe këto nga qytetet që e kanë përjetuar një shkatërrim brutal.
Të gjitha ndeshjet do të luhen në dhe përreth Kievit, ndërsa do të mund të shikohen në territorin ukrainas përmes Youtube.
Ndeshjet do të luhen sot në Kiev, Uzhhorod dhe Kovalivka.
Klubet ukrainase do t’i zhvillojnë ndeshjet në garat evropiane në vendet më të afërta si në Poloni, Sllovaki apo edhe në Suedi, për shkaqe sigurie.