Ulet çmimi i vezëve në Kosovë

Prishtinë | 24 Maj 2023 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Këto ditë në tregjet kosovare të të gjitha llojeve (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra) po vërehet një ulje e ndjeshme e çmimit të vezëve.

Sot e dje, dhe thuaja që nga java e kaluar, në zingjirin e dyqaneve të specializuara të një prodhuesi produktesh të shpezëve me emër në Kosovë, vezët e cilësisë së mirë, kushtonin 2,50 euro për një amballazhim me 30 copë të këtij produkti. Në po këto dyqane, vetëm para pak ditësh 30 copë vezë kanë kushtuar 2,90 euro, ndërsa para një muaj e ca, paketimi i 30 copë vezëve është tregtuar me 3,90 euro, madje edhe 4,40 euro. Çmimi i sotshëm prej 2,50 eurosh, krahasuar me atë prej 4,40 eurosh, i bie të jetë përafërsisht përgjysmë më i ulët.

Përafërsisht me të njëjtin çmim, këto ditë, 30 copë vezë po tregtohen edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete. Në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, sot vezët (paketimi 30 copësh) kushtonin njësoj si në shitore, 2,50 euro. Ndërkaq, supërmarketet dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e ulur po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë të martën, por edhe sot kanë pasur çmimin 2,59, 2,49, 2,36 euro. Sidoqoftë, çmimi aktual i vezëve, po të krahasohet me çmimet që ky produkt kishte në dhjetor të 2022-tës, ose në janar dhe shkurt të këtij viti, është një ulje goxha evdente.

Siç dihet, dhe siç raportonin mediet dhe ASK-ja, nëpërmjet raporteve të përditësuara të evidentimit të çmimeve të produkteve ushqimore, në muajt e fundit në vitin e kaluar, e sidomos në prag të festave të fundvitit, ka pasur rritje ekstreme të çmimit të vezëve. Në këtë kohë, në dhjetor të 2022-tës, 30 copë vezë kanë kushtuar saktësisht 4.49 euro deri në 5,50 euro, në ca markete dhe minimarkete.

Çmimet enorme të larta në dhjetor të vitit të kaluar i ka evidentuar edhe ASK-ja, sipas raportit të së cilës më 15-20 dhjetor një komplet me vezë ka kushtuar 4 euro e 29 centë. Dhe, po sipas ASK-së (përditësimit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike), është konstatuar se lëvizja më e madhe e çmimit në gjysmën e dytë të dhjetorit 2022, është shënuar pikërisht tek vezët.

Për shkaqet dhe shtytjen për këtë ulje çmimi evidente, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë, theksojnë se rëndom, në këtë sezon, në pranverë, bie çmimi i vezëve. Por, edhe pse në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, gjatë kohës së pandemisë dhe muajve post-pandemik, nuk ka ndodhur të ketë ulje kaq të theksueshme të çmimit të vezëve në asnjë stinë.

Njohësit e tregut dhe vrojtuesit më të vëmendshëm të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e Kosovës, kanë tjetër shpjegim. Sipas tyre, shkaku i uljes kaq të ndjeshme të çmimit të këtij prodhimi është importi i një sasie të madhe vezësh dhe stërmbushja e tregut kosovar me këtë produkt. Ata vlerësojnë se oferta e madhe për vezë ka ndikuar dhe ka kushtëzuar uljen e tanishme të çmimeve të këtij produkti. Dihet, se edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë prodhues të mëdhenj të vezëve. Dhe në vitet paraprake, shpesh herë Kosova ka importuar vezë nga këto vende./Buletiniekonomik

Të ngjashme