Hendeku gjinor në paga në Bashkimin Europian qëndroi në 16% në vitin 2016, çka do të thotë se gratë fitojnë 84 cent për çdo euro që fitojnë burrat për orë. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat, me rastin e 8 Marsit.
Ndër vendet anëtare, hendeku gjinor në paga në më pak se 10% u regjistrua në Itali, Luksemburg, Belgjikë, Poloni dhe Slloveni, ndërsa Rumania mban normën më të ulët në 5.2%. Nga ana tjetër, hendeku është më i gjerë në Estoni, me 25.3%, ndjekur nga Republika Çeke dhe Gjermania, me 21.8% dhe 21.5% në mënyrë respektive.
Rënia më e madhe është regjistruar në Rumani, ku nga viti 2011 deri në 2016-ën ka pasur rënie me 4.4%, ndërsa në Portugali, për të njëjtën periudhë, ka patur rritje me 4.6%. Në nivel të Bashkimit Europian, hendeku gjinor në paga ka rënë lehtë me 0.6% gjatë kësaj periudhe, raporton “Scan”.
Sipas Eurostat, në 20 profesionet më të shpeshta, që mbulojnë 76% të të punësuarve në Bashkimin Europian, përfaqësimi më i lartë i grave për 2016-ën është regjistruar në kujdesin personal, me 89% krahasuar me burrat, ndjekur nga pastrimi dhe mësimdhënia, me 84% dhe 71% në mënyrë respektive.
Nga ana tjetër, meshkujt janë të mbipërfaqësuar në ndërtim, me 97% krahasuar me 3% për gratë në këtë sektor.