Dhënia e ultimatumeve institucioneve franceze apo atyre të sigurisë ndërkombëtare, të tilla çfarë ka bërë në të kaluarën Kuvendi i Kosovës, është cilësuar e rrezikshme për marrëdhëniet të cilat Kosova synon t’i ketë me vendet e tjera.
Kuvendi i Kosovës për të martën ka thirrur seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim, në pritje të kërkesës zyrtare të Serbisë për ekstradim.
Organi legjislativ edhe në të kaluarën ka mbajtur seanca të tilla dhe ka nxjerrë rezoluta me tone kërcënuese për shtetet e tjera. Vëzhgues të punës së legjislativit kanë thënë se ky institucion nuk duhet të shndërrohet në arenë ku drejtohen akuza ndaj shteteve të tjera.
Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka theksuar se lëshimi i 157 fletarrestimeve nga Serbia përmes INTERPOLIT për ish-ushtarët e UÇK-së duhet marrë më seriozisht dhe të trajtohen në mënyrë institucionale, e veçanërisht nga delegacioni i Kosovës në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. (KohaDitore)