Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash, ka deklaruar se prania e forcave të KFOR- it në Kosovë nuk ka afat të caktuar për përfundim.
Sipas tij, vlera e KFOR-it qëndron në praninë e tij të dukshme dhe fleksibile në terren, qasjen e paanshme ndaj të gjitha komuniteteve dhe rolin në krijimin e hapësirës për dialog politik.
“Vlera e shtuar e KFOR-it është trefishtë, kemi një prani të dukshme, fleksibile dhe të përshtatshme në gjithë Kosovën, kemi një qasje të paanshme duke kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë, dhe vazhdojmë të ofrojmë hapësirë për dialog politik.Mandati i KFOR-it bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka një afat përfundimtar. Çdo vendim për të ardhmen e KFOR-it i takon Këshillit të Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s.KFOR do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës dhe do të mbetet pjesë thelbësore e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për siguri të qëndrueshme në Kosovë”, tha ai, transmeton Klankosova.
Në këtë drejtim, komandanti i KFOR-it tha po ashtu se NATO mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.