Pasi takimit dhe me banorët e Astirit, pronat dhe shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Re, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta doli me një qëndrim publik zyrtar.
Meta thekson se zgjidhja përfundimtare dhe më e mirë është ajo e anulimit të këtij projekti pasi paraqet shkelje të shumta ligjore.
Në reagim thuhet se institucioni i Presidentit kërkon informacion nga Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit/Integrimit të Ndërtimeve/Zonave Informale dhe tek Zyra Qëndroree Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Sipas Metës, këto institucione kanë shkelur kushtetutën duke mos dhënë informacionet e nevojshme për projektin.
Meta e cilëson projektin korruptiv. Sipas Presidentit, projekti duhet anuluar menjëherë. Kjo vjen për disa arsye. “Projekti paraqet shkelje të shumta ligjore të cilat kërkojnë detyrimisht një rishikim të plotë dhe të menjëhershëm të vendimarrjes shtetërore në mënyrë që ky projekt të realizohet përkundrejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të arsyeshme në interesin më të mirë publik” – theksohet në qëndrimin e shperndarë për mediat.
“Siç është faktuar publikisht konkurimi në të tre lotet ka qenë fiktiv. Në çdo lot kanë konkuruar dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar” – shkruhet në letër.
Meta mbyll reagimin duke theksuar se projekti nuk të anulohet.
Në reagim theksohet se shpronësimet duhet të kryhen në mënyrë korrekte.
Përsa i përket pronave private të papajisura me dokumente pronësie ose të cilat ndodhen në proces legalizimi në reagim shkruhet:
“Gjatë ndjekjes së procedurave të shpronësimit, në rast se preken pasuri pronë private që nuk është pajisur me dokument pronësie dhe ndodhen ende në proces legalizimi, të bëhet një vlerësim i bazës ligjore ekzistuese dhe nëse ajo vlerësohet e mangët të krijohet shtrati i nevojshëm ligjor me qëllim trajtimin me shpërblim të të gjithë qytetarëve në mënyrë sa më të drejtë, duke ruajtur interesin publik dhe të drejtat themelore të tyre të pronës së krijuar dhe poseduar prej një kohe të gjatë”.