Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dorëzoi 20 ventilatorët e parë mobilë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të blera me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut, raporton Ekonomia Online.
Këta ventilatorë do të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës, u tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, falënderoi shtetet evropiane të cilat po i dalin në ndihmë vendit në këtë kohe pandemie.
Zemaj deklaroi se MSh-ja po bën të pamundurën në luftimin e virusit dhe në shpërndarjen e duhur të pajisjeve shëndetësore.
“E pranojmë një donacion të tillë i cili ndihmon shëndetin dhe luftimin e pandemisë dhe përballjen me të deri në tërësi. Jam falënderues për qytetarët evropian e veçanërisht përfaqësuesve të tyre për punën e angazhimin në Kosovë për t’i dalë në ndihmë popullit kosovar”.
“MSh-ja me gjitha instancat e saj po bën të pamundurën që të kemi koordinim dhe të rrisim mbikëqyrjen e shpërndarjes së tyre në destinacionin e tyre”, tha Zemaj.
Drejtori i SShSKUK-së, Basri Sejdiu, potencoi se kjo ndihmë në këtë kohë nuk mund të matet me para.
“Falënderoj ambasadorët është një nder i veçantë me marrë një donacion kur kemi nevojë. Ventilatorët janë 20 sot dhe 20 vijnë nesër për gjithë ata që kanë nevojë. Vlera është e madhe kur është e dedikuar në këtë kohe, nuk mund ta masim me para këtë ndihmë”, tha ai.
Përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko vlerësoi këtë gatishmëri në këtë kohë pandemie.
“Ju uroj në këtë thirrje të ndihmës për Ministrinë e Shëndetësisë për pandeminë. Ju falënderoj për kontributin Zvicrën, Norvegjinë dhe Luksemburgun. Jam e lumtur për këtë gatishmëri në këtë kohe dhe partneritetin”, tha ajo, raporton EO.
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grendahl deklaroi se kjo është shenjë që shtetet e Evropës janë gati për të ndihmuar Kosovën.
“Jam i lumtur qw këta ventilatorë kanë ardhur në Kosovë dhe të ndihmojnë në luftimin e pandemisë. Kjo është shenjë që ne jemi gati për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës. Jam i lumtur qe jam këtu për ju”.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, falënderoj partnerët e tij qe mundësuan këtë donacion për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
“Dëshiroj të falënderoj UNDIP. Falënderoj ambasadorët për bashkëpunimin. Ky është lajm i mirë më së shumti për Kosovën jam i lumtur, por jo shumë, por kjo do të thotë dicka”.
Ambasadorë të shteteve evropiane ishin kontribuuese në asistencën prej 5 milionë eurove për Kosovën në luftimin e pandemisë Covid-19.