Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë i ka dorëzuar 36 kompjuterë me monitorë Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Këta kompjuterë do të shpërndahen në 36 stacione policore dhe do të përdoren nga personeli për regjistrimin e kërkesave për legalizimin e armëve.
Izmi Zeka, zv.ministër i Punëve të Brendshme (MPB), tha se ky donacion do t’i ndihmojë ata shumë në aspektin ekonomik.
“Ne si ministri jemi të kënaqur pasi krahasohemi me shtetet e rajonit. Tash është një moment i veçantë në kuadër të punës që po e bëjmë bashkë për neve kjo është e mirëseardhur pasi ky donacion do na ndihmojë shumë në aspektin ekonomik. Andaj shfrytëzoj rastin edhe t’i ftojë qytetarët që të legalizojnë armët”.
Përfaqësuesja e UNDP-së në Kosovë, Maria Soukko, tha se ky donacion do të ndihmojë në angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre me Policinë.
“Ne jemi të lumtur që sot je këtu për të i dorëzuar Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme këta kompjuterë. Edhe për neve kjo është e rëndësishme shumë pasi na ndihmon në angazhimin dhe bashkëpunimin tonë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se ata do të bëjnë çmos që të ketë sa më pak armë në duar të popullatës.
“Kur flasim për legalizim të armëve dhe për armë gjithmonë kemi një situatë të dendur në rajon. Posedimi i armë të palegalizuara është një dukuri e shpërfashme në vendin tonë dhe ne duhet të bëjmë shumë që këtë dukuri ta largojmë. Është e rëndësishme që ne të gjithë të bëjmë çmos që të kemi sa më pak armë në duart e popullatës”.
Procesi i legalizimit, i iniciuar nga Ministra e Punëve të Brendshme (MPB) dhe i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, filloi më 17 dhjetor të vitit të kaluar për një periudhë gjashtëmujore dhe më pas u zgjat edhe për tre muaj deri më 17 shtator.