Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës (PK), Naim Rexha, ka pritur sot në takim zyrtar një delegacion nga UNDP-ja, të prirë nga Alessandra Roccasalvo, zëvendëse Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë.
Sipas një komunikate nga policia, të takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Naim Rexha fillimisht falënderoi Alessandra Roccasalvo për vizitën e saj, dhe njëkohësisht e cilësoi takimin si mjaft të rëndësishëm dhe të mirëpritur nga Policia e Kosovës, transmeton Ekonomia Online.
Rexha njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Rexha, sipas komunikatës çmoi lartë angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të UNDP-së në përgjithësi, e me theks të veçantë për ofrimin e ndihmës rreth projektit të shkatërrimit të armëve të vogla.
Po ashtu ne takim u diskutua edhe rreth forcimit të bashkëpunimit të mëtejmë, Alessandra Roccasalvo ritheksoi se UNDP-ja do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen edhe në të ardhmen për Policinë e Kosovës.