Zyra e UNHCR-së në Kosovë mirëpriti në vizitë fëmijë të paregjistruar në kuadër të fushatës “Rëndësia e regjistrimit të lindjes së fëmijëve”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i regjistruar, të ketë një emër dhe dokumente identifikuese.
Merita Ahma, zyrtare e UNHCR-së, tha se ekziston një numër i madh i fëmijëve, që nuk janë të regjistruar e nuk i njeh ligji.
“Sot kemi një grup të fëmijëve të paregjistruar, të grupmoshës 9-12 vjeç, të komunitetit rom, ashkali, egjiptian nga komuna të ndryshme të Kosovës, me te cilët do të zhvillojmë disa lojëra në kuadër të kampanjës “I belong” “Unë i përkas” që ka për qëllim regjistrimin e të gjithë fëmijëve deri në vitin 2024” u shpreh Ahma.
Sipas saj, UNHCR-ja në bashkëpunim me disa organizata dhe autoritetet kanë identifikuar rreth 900 fëmijë të paregjistruar.
“Këta fëmijë nuk kanë qasje në shkollë, nuk i njeh ligji në Kosovë. As prindërit e tyre nuk mund të aplikojnë për ndihma sociale”, theksoi ajo.
Ahma shtoi se UNHCR-ja së bashku me autoritetet janë duke punuar që këta fëmijë të regjistrohen, të kenë identitet dhe të gëzojnë të drejta si gjithë fëmijët e tjerë.
Erdon Arifaj, nga Agjencia e Regjistrimit Civil, tregoi se kjo agjenci ka për qëllim ta ketë informatën ligjore për çdo person që lind në Republikën e Kosovës.
“Bazuar në konventat për të drejtat e fëmijëve, secili fëmijë ka të drejtë të ketë një emër, t’i njoh prindërit e tij, të ketë kujdesin e prindërve. Kemi publikuar një raport ku mbi 600 persona kanë qenë të paregjistruar, por që nga ajo kohë e deri më sot ky numër është zbritur në 400”, tha Arifaj.
Ai tregoi se Agjencia e regjistrimit Civil ka themeluar një grup punues ndërinstitucional, që ka për qëllim luftimin e dukurisë kur fëmijët lindin e nuk regjistrohen.
Këta fëmijë duhet të realizojnë të drejtën që kanë.
Në mesin e këtyre fëmijëve ishte edhe një vajzë e cila ndonëse 16 vjeçare ende nuk gëzon të drejtat e saj në Kosovë.
Organizata Joqeveritare BRAN nga Ferizaj, ndihmoi në zhvillimin e lojërave për të gjithë këta fëmijë.
Secili nga këta fëmijë gjatë lojërave janë prezantuar si dhe shprehën dëshirat e tyre për atë se çfarë duan të bëhen kur të rriten, dikush polic e dikush futbollist si Ronaldo.
Një nga lojërat ishte edhe bërja e një lajmi në lidhje me regjistrimin e lindjes së fëmijëve si dhe prezantimi i tyre.
Të gjithë fëmijët kanë veshura maica me mbishkrimin “Unë i përkas. Bëni regjistrimin e lindjes së fëmijës tuaj”.
Në fund, UNHCR-ja ka shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët, një top futbolli dhe një çantë shkolle.