Manchester Unitedi nuk do të qëndrojë prapa në mbrojtje kur të martën të jetë nikoqir i Paris Saint-Germainit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Kështu ka thënë trajneri i përkohshëm i Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer.
Manchester Unitedi është i pamposhtur në 11 ndeshje në të gjitha garat qëkur Solskjaer e ka zëvendësuar Jose Mourinhon në dhjetor, dhe përmirësimet janë bërë falë insistimit të norvegjezit për të luajtur futboll ofensiv, ndryshe nga Mourinho që preferonte lojën defensive, shkruan Koha Ditore.
“Ne duhet të rizbulojmë mënyrën e lojës së Manchester Unitedit dhe nuk besoj se shumë skuadra mund ta shijojnë natën në ‘Old Trafford’ kur të jemi në atë ritëm”, ka thënë Solskjaer për faqen zyrtare të UEFA-s.
Skuadra e tij ka fituar dhjetë dhe ka barazuar një ndeshje.