Manchester Unitedi e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Ligën Premier. Djajtë e Kuq ishin bindës në triumfin prej 4-0 kundër West Ham Unitedit.
Mirëpo, ky rezultat nuk është tregues real i asaj që ndodhi në fushë, pasi skuadra e Jose Mourinhos e dominoi sfidën dhe krijoi raste të njëpasnjëshme, ashtu që shumë lehtë kemi mundur të shohim më shumë gola.
Vendasit ishin skuadra që e kërkoi vazhdimisht golin gjatë pjesës së parë në Old Trafford dhe goli erdhi në minutën e 33-të.
E gjitha ndodhi pas një gabimi të një lojtari mysafir dhe një kundërsulmi të shpejtë nga Marcus Rashford. Ai krijoi hapësirë dhe asistoi te Romelu Lukaku, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte.
Me epërsi prej një goli skuadrat shkuan në pushim, ndërsa pasqyrë e njëjtë e lojës u pa edhe në gjysmën e dytë me Unitedin që sulmonte vazhdimisht dhe kërkonte të realizojë.
Goli i dytë erdhi në minutën e 52-të. Pas një harkimi fantastik të Henrikh Mkhitaryan nga gjuajtja e lirë, Lukaku realizoi me kokë duke i heshtur kritikët që mendonin se Djajtë e Kuq paguan shumë para për të.
Një rast shumë të mirë shënimi e pati Marko Arnautovic në minutën e 59-të, por goditja e tij u ndal në shtyllë. Po ashtu, raste shënimi në vazhdim patën edhe Rashford e Daley Blind.
Përpjekjet e njëpasnjëshme të nikoqirëve i konkretizoi me golin e tretë Anthony Martial (88’), i cili kishte vetëm tetë minuta që kishte hyrë në fushë. Mkhitaryan ishte asistues edhe në këtë gol.
Për golin e katërt u kujdes Paul Pogba (90’), i cili shënoi me një goditje nga jashtë zonës dhe ky ishte rezultati përfundimtar i takimit.
Këto janë tri pikët e para të Manchester Unitedit në sezonin 2017/2018 në Ligën Premier, ndërsa West Ham Unitedi do ta kërkojë rezultatin pozitiv në ndeshjet e ardhshme.