Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, nga sot do të jetë pjesë e Programit Nacional për Rininë. Kjo pasi Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e Universitetit, Alush Musaj.
Me këtë rast, Hoti tha se e gëzon fakti që universitetet publike dhe ato private po e mbështësin dhe po e kuptojnë seriozitetin e programit.
“Programi Nacional për Rininë është i hartuar ekskluzivisht për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës. Është një mundësi e jashtëzakonshme që u ofrohet studentëve qoftë për të garuar në mes vete, qoftë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e garës. Studentët janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë dhe unë do të angazhohem që ata të kenë hapësirën e munguar. Programi Nacional e ka si synim edhe ngritjen e vetëdijes për punë vullnetare, për të cilën nuk dyshoj se studentët e “Isa Boletinit” do ta bëjnë më së miri”, tha Hoti.
Ndërsa, Rektori Musaj e mirëpriti bashkëpunimin me nivelin qeveritar për të mirën e studentëve. “Programi Nacional për Rininë vjen në kohën e duhur veçmas kur universiteti i ka të nevojshme sportin dhe kreativitetin kulturor si pjesë përbërëse programore. Është një standard që ne me këtë bashkëpunim do ta përmbushim për të gjithë studentët e universitetit. Së bashku me universitetin do të shihen frytet e kësaj gare”, tha Musaj.
Marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin “Isa Boletini”, përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.