Në Kuvendin e Kosovës mungonte, por deputeti Ardian Kastrati mbrëmjen e 4 prillit, ditën kur po votohej presidentja, bëri një postim që mori shumë kritika.
Kjo për shkak se supozohej se postimi i tij ishte në drejtim të presidentes Vjosa Osmanit, menjëherë pasi e njëjta u votua për këtë pozitë.
I menjëhershëm ishte reagimi i shoqërisë civile, të cilët protestuan para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar që ndaj Kastratit, i cili është staf akademik i universitetit, të marrin masa.Reklamë
E Rektorati i Universitetit të Prishtinës ishte distancuar nga ky postim, duke kërkuar që Këshilli i Etikës ta trajtojë këtë rast me prioritet.
Por po bëhen gati dy muaj që kur në faqen zyrtare të Universitetit të Prishtinës nuk ka ndonjë njoftim për këtë rast.
Televizioni T7 ka drejtuar disa herë radhazi pyetje te anëtarët e Këshillit të Etikës, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
E një veprim i tillë sipas Liridona Sijarinës nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, mund të ketë një prapavijë.
Sipas Sijarinës, ditëve në vijim do të kërkojnë një përgjigjie nga Rektorati në lidhje me këtë rast.
E në të kundërtën opsion nuk përjashtohet as protesta.
Kërkesa e shoqërisë civile ka qenë që deputeti Ardian Kastratit të mos i lejohet ushtrimi i detyrës si profesor në UP.
Televizioni T7 ka tentuar që të marrë një qëndrim nga Kastrati, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Ndërkohë, postimi i Kastratit që u largua më pas, pa kërkuar falje, ka sjell telashe edhe brenda PDK-së.
T7 merr vesh se ishte vet Enver Hoxhaj, ai që ka telefonuar Kastratin edhe ka kërkuar heqjen e atij postimi, duke akuzuar atë se me atë që bëri, drejtoi debatin kah PDK-ja, në kohën kur kritikat ishin drejtuar në mënyrën se koalicioni siguroi votat për Vjosa Osmanin presidente.
Se ka pasur pakënaqësi me Kastratin e ka konfirmuar edhe Betim Gjoshi, sekretar i PDK-së.