Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në muajin tetor përmbyll konkursin e shpallur muaj më parë, për përzgjedhjen e 125 kandidatëve të stafit akademik dhe administrativ.
Me gjithë këtë edhe këtë vit në mungesë të kuadrove të kualifikuar disa drejtime në fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore do të kenë mungesë të stafit akademik.
Prorektori i Universitetit të Prishtinës, Faton Berisha, i tha Radio Kosovës se janë në përfundim të përzgjedhjes së stafit akademik, por probleme do të ketë në drejtime të caktuara për shkak të kufizimeve buxhetore dhe mungesës së kuadrove të kualifikuara.
“Kemi dy probleme rreth plotësimit me kuadër të mjaftueshëm akademik. Njëra është kufizimi që i vihet universitetit rreth pjesës së buxhetit që mund ta shpenzojë për paga të stafit akademik dhe
kjo e kufizon efektivisht numrin e stafit të rregullt.
Dhe problemi tjetër është se pozita e profesorit të universitetit është pozitë me privilegj dhe duhet të plotësohen kriteret, ku jo gjithmonë plotësohen nga kandidatët.”
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore, Tahir Arbneshi, i tha Radio Kosovës se edhe pas shpalljes se konkursit në drejtimin matematikë dhe gjeografi, në mungesë të kuadrove të kualifikuar, nuk ka qenë e mundur të kompletohet stafi.
“Jemi në përfundim të konkursit për përzgjedhjen e stafit të rregullt. Kësaj radhe nuk kemi pasur shumë vende, nevojat kryesore për fakultetin janë në departamentin e matematikës në veçanti për asistentë dhe në departamentin e gjeografisë ku kemi numër shumë të vogël të stafit të profesorëve dhe asistentëve.
Megjithatë edhe përkundër faktit që po hapim konkurs nuk po kemi kandidatë që po i plotësojnë kërkesat minimale sipas statutit të universitetit“
Ndryshe shumë programe në fakultete të ndryshme në Universitetin e Prishtinës janë mbyllur dhe disa të tjera janë të rrezikuara për t’u mbyllur për shkak të mungesës së stafit akademik.