Kolegji AAB, me një ngritje prej 1 400 pozitash në listën e rreth 30 mijë universiteteve e institucioneve të arsimit të lartë në botë, bashkë me Universitetin e Prishtinës, i cili ka pasur një rënie të lehtë nga pozita e edicionit të kaluar, edhe në edicionin e muajit korrik dalin të jenë dy institucionet më të mira të arsimit të lartë në Kosovë sipas matjeve të Webometrics.
Siç thuhet në njoftimin e Kolegjit AAB, Webometrics është ranglista më gjithëpërfshirëse e vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në të cilën numri i institucioneve që vlerësohen është rreth 30 mijë. Që nga vlerësimet e janarit 2017, në këtë ranglistë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë që nuk ishin pjesë e vlerësimeve të mëhershme, por rezultati i arritjeve të tyre ka një shkëputje të dukshme krahasuar me AAB-në dhe UP-në.
Webometrics ka filluar të konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.
Për rangimin dhe progresin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë ka komentuar edhe kreu i Agjencisë Shtetërore të Akreditimit, Blerim Rexha.
“Tani në fund të korrikut, Cybermetrics Lab, pjesë e Spanish National Research Council me seli në Madrid, azhurnoi listën e rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në ueb faqen e tyre www.webometrics.info. Duke i krahasuar shënimet aktuale me ato në edicionet e kaluara, lehtë mund të nxirret edhe progresi i bërë nga Institucionet e Arsimit të Lartë gjatë kësaj kohe, janar 2017 – korrik 2017!”, ka shkruar Rexha në rrjetin social Facebook.
“Për një rangim më të mirë, Institucionet e Arsimit të Lartë do të duhej që angazhimin e tyre të ia përshtatin edhe algoritmit të rangimit, të bërë publik nga Cybermetrics Lab dhe që çdo vit janë duke e avancuar algoritmin duke e krahasuar me metodat tjera të njohura të rangimit si Academic Ranking, QS, Times Higher Education etj”, ka shtuar ai.
Webometrics është ranglistë e grupit hulumtues Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore (CSIC).
Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.
Rezultatet e fundit të publikuara nga Webometrics, mund t’ i gjeni KËTU