Universiteti i Prishtinës është renditur në vendin e 713-të nga 5637 institucioneve të përfshira në renditje në databazën e Scimago-s.
Ndërkaq, nga të gjitha universitetet e renditura të Evropës Lindore, UP-ja zë vendin e 87-të.
Në garën e institucioneve të arsimit të lartë në këtë ranglistë ku prin Universiteti i Harvardit, UP-ja renditet e 563-ta në botë, duke lënë pas universitete të shumta.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, shprehet i lumtur për vlerësimin e punës së stafit akademik, raporton Ekonomia Online.
“Jam tej mase i lumtur që puna e stafit akademik është shpërblyer me një ngritje të tillë dhe jam shumë i bindur që në bashkëpunim me zyrën për kërkime dhe projekte të sponsorizuara, sukseset që do t’i korrim do të jenë edhe më madhështore. Në një rast të tillë kur reflektojmë për këtë sukses, theksoj që universiteti jonë ka bërë përparim të mirë në dy vitet e fundit, por kemi edhe më shumë për të bërë”.
Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Morina, në emër të ministrit Bytyqi përgëzoi UP-në për këtë sukses, raporton EO.
Ai u zotua se MAShT-i gjithmonë do të mbështesë rezultate të tilla.
“Jam i lumtur që sot marr pjesë në këtë lajm të gëzueshëm dhe në emër të ministrit Bytyqi të përgëzoj rektorin dhe të gjithë studentët për këtë sukses. Ky rezultat na obligon qe të vazhdojmë më tej të japim kontribute, jo vetëm për studentët tanë, por edhe për shkencën botërore”.
Sipas prorektorit për kërkime shkencore në UP, Faton Berisha, ky sukses i tejkalon pritjet e tij për arritje shkencore gjatë mandatit të menaxhmentit aktual të UP-së, veçanërisht nga aspekti i kualitetit të kërkimeve shkencore, raporton EO.
“Kërkimet në UP vijnë nga profesorë, pastaj ata bartin përvojat e tyre te studentët. Ajo që është parakusht për këto rezultate janë një fakt, nuk mund të menaxhon çka nuk mund të masësh në kërkimin shkencor”.
“Për të quajtur kredibil një kërkim shkencor, publikimi duhet të jetë pjesë e një reviste e cila është e indeksuar. Databaza Scamigo metodën e renditjes e ka kryesisht të bazuar në punimet e publikuara dhe të indeksuara në databazën e njohur Scopus”.