Zgjedhjet për dekan në Fakultetet e Universitetit të Prishtinës, u përcollën më shumë zhurmë dhe mospajtime, raporton Ekonomia Online.
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit për dekan u propozuan tre emra, Musa Selimi, Ajvaz Berisha.
Për dekan u propozua edhe Hazir Salihu. Por ky i fundit u tërhoq nga kandidatura, siç tha ai për arsye personale.
E kandidatura e Ajvaz Berishës u përcoll me shumë paqartësi dhe me shumë zhurmë.
Ishte pikërisht Ajvaz Berisha që nuk lejoi që zgjedhjet të mbahen pa kandidaturën e tij, ndonëse kishte të drejtë të kandidonte.
“Ju po tentoni ta eliminoni dikë nga kandidatura por nuk do të ndodh. Ose shtyjeni zgjedhjet deri nesër edhe i shohim te gjitha procedurat”, tha Berisha.
E zgjedhjet i fitoi Musa Selimi.
Zgjedhjet për dekan u mbajtën edhe në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, raporton EO.
Për këtë të fundit kandidoi vetëm Avni Puka i cili u zgjodh me 30 vota për, katër kundër dhe dy abstenime. Dekani i ri premtoi më shumë përgjegjësi.
“Ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni zgjedhur por në të njëjtën kohë ndihem me më shumë përgjegjësi por së bashku me juve do t’ia dalim”, tha Puka.
Ndërsa ish-dekani Haxhi Gashi tha se ka qenë privilegj që për dy mandate të jetë në krye të Fakultetit Juridik.
Në Fakultetin Filologjik u zgjodh për herë të dytë dekane Lindita Rugova, përderisa Blerim Saqipi u zgjodh në Fakultetin e Edukimit.
Në atë Filozofik u zgjodh Dashamir Burxulli. Vend për dekan pati edhe për një ish-ministër. Idriz Vehapi u zgjodh dekan në FShMN. E në Fakultetin e Arteve Hazir Haziri, raporton Ekonomia Online.
Zgjedhje për dekan pati edhe në Fakultetin Ekonomik. Aty vota më shumë mori Fatos Ukaj.
Ukaj tha se si dekan i këtij fakulteti do të mundohet që projektet e mbetura t’i shtyjë përpara.
“Mënyra sesi kanë vepruar menaxhmenti i kaluar, ka qenë me sfida por që kanë mundur edhe më mirë por që i kanë arsyet e veta se përse nuk kanë arritë ato që i kanë premtuar. Ka punë që duhet me i shty përpara. Ka nis një projekt dhe ne do ta vazhdojmë”, tha ai.
“Mënyra në të cilën na ka goditur kjo pandemi, ka treguar disa dobësi të Fakultetit dhe në tërësi të Universitetit dhe ne do të jemi në pozitë nga 1 tetori. Unë së bashku me ekipin që do ta zgjedhi do të përgatitemi për skenarin në të cilën pandemia ekziston dhe se kemi sfidë përpara, pasi që i kemi ligjëratat dhe mbajtjen e provimeve”, tha ai