Në organizim të Universitetit të Prishtinës, në Prishtinë ka nisur seminari katërditor “Problemet e neglizhuara të malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat”, ku po marrin pjesë studentë nga katër shtete, raporton Ekonomia Online.
Rektori i universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka përshëndetur seminaristët dhe i ka njoftuar rreth Universitetit të Prishtinës.
“Është kënaqësi që ju kemi këtu. Ju uroj momente të mira në Universitetin e Prishtinës. Ne kemi bërë progres të madh në Universitetin e Prishtinës. Kemi pasur edhe sfida sepse Kosova është një shtet i vogël”, tha Dema.
Murat Celik, përfaqësuesi i Rotary International, bashkorganizator i seminarit, tha se edhe më herët kanë organizuar seminare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. “Por është hera e parë që po e bëjmë këtë lloj simpoziumi. Unë besoj se ky seminar do të jetë i suksesshëm, është edhe mundësi e mirë sepse ju bëheni shokë me njëri-tjetrin”, tha Celik, raporton EO.
Berat Fazliu, përfaqësues në Kosovë i Rotary International, ka dhënë detaje në lidhje me këtë seminar. Ai tha se gjatë kësaj periudhe do të mësohet edhe për metoda dhe ide për parandalimin e malaries.
“Është një seminar që është organizuar nga Rotary International ku marrin pjesë 4 shtete, Gjermania, Turqia, Greqia dhe Kosova. Do të flasim për malarien. Do të jetë më ndryshe, më konstruktive. Do të mësojmë edhe një metodë, një dizajn për krijimin e ideve që më vonë mund të jenë të zbatueshme”, tha ai.
Dita Botërore e Malaries shënohet më 25 prill.
Sipas raportit më të fundit botëror të malaries nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pas më shumë se një dekade përparimi të qëndrueshëm në luftimin e malaries, përparimi ka stagnuar.
Numri i vlerësuar i vdekjeve nga malaria në 2017, në 435 000, mbeti praktikisht i pandryshuar gjatë vitit të kaluar.
Rajoni Afrikan mbart pjesën me të madhe të barrës globale të malaries. Në vitin 2016, ky rajon kishte 90% të rasteve të malaries dhe 91% të vdekjeve prej saj.