UP vlerëson angazhimin e stafit të Fakultetit të Mjekësisë dhe studentëve në luftë me Coronavirusin

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Kolegjiumi i Dekanëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen virtuale, ka diskutuar për gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë së COVID-19 në vendin tonë.

Gjatë këtij takimi, u vlerësua lart roli dhe kontributi që punëtorët shëndetësorë anembanë vendit janë duke dhënë në vijën e parë të frontit në luftimin e kësaj pandemie globale.

Menaxhmenti qendror dhe dekanët e UP-së shprehin mbështetje të pa rezervë për stafin mjekësor të angazhuar në luftimin e Coronavirusit, në veçanti për stafin mjekësor nga radhët e UP-së, pjesëmarrja dhe kontributi i të cilëve është vital për vendin në këtë situatë, në të cilën gjendemi.

” UP-ja vlerëson lart dhe mbështetë edhe të diplomuarit tanë, të cilët sot gjenden në qendrat spitalore, larg familjeve të tyre, duke shërbyer për qytetarët dhe duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes profesionale dhe akademike”, thuhet në komunikatë të UP-së.

Përveç stafit mjekësor, UP-ja ka angazhuar edhe studentë vullnetarë nga radhët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët janë duke dhënë kontributin e tyre në qendra të ndryshme spitalore të vendit tonë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Universiteti i Prishtinës falënderon të gjithë punëtorët të cilët janë duke i kryer me përgjegjësi të plotë obligimet ndaj qytetarëve në të gjitha profesionet e tyre, pa të cilat vendi nuk do të mund të funksiononte normalisht”, ka vazhduar komunikata.

Gjatë këtij takimi të Kolegjiumit të Dekanëve është raportuar për hapat që UP-ja ka marrë në mbrojtje dhe parandalim të COVID-19 në vendin tonë, përfshirë lansimin dhe implementimin e suksesshëm të mësimit virtual, duke mbajtur të sigurt stafin dhe studentët, si dhe familjarët e tyre, si dhe duke i shërbyer njëkohësisht komunitetit me informata kredibile dhe profesionale në rrethanat e kësaj pandemie.

Universiteti i Prishtinës edhe në vazhdimësi, do të jetë afër studentëve, stafit dhe qytetarëve të vendit, duke kontribuuar me të gjitha kapacitetet e tij, ndërkaq bën thirrje që të respektohen me përpikëri vendimet zyrtare për mbrojtje nga COVID-19, duke pasur kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë.

Të ngjashme