Komandanti i Detashmentit të Përbashkët Rajonal-Veri, kolonel Martin Schuler, është pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri. Në takim, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i stacionit jugor të policisë, kapiteni Ahmet Gjosha, është vlerësuar lartë bashkëpunimi i deritashëm ndërmjet Komunës, KFOR-it dhe policisë.
Që të tre bashkëbiseduesit thanë se në të gjitha rastet, bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës dhe në shërbim të tyre, ka qenë shumë i mirë, efikas dhe i suksesshëm.
Kësaj radhe, në fokus të bisedës ishte angazhimi i përbashkët për inspektimin dhe në rast nevoje edhe meremetimin e urës dytësore mbi lumin Sitnicë, afër urës kryesore në hyrje të tunelit në Bair, para restorantit “Vila Lux”.
Komandanti Schuler, tha se është e nevojshme që kësaj ure, të ndërtuar nga KFOR-it t’i bëhet një inspektim nga ekspertët dhe në bazë të vlerësimeve të tyre, të ndërmerren masa për meremetimin e saj eventual.
“Ekspertët tanë, bashkë me ata të FSK-së, por nën mbikëqyrjen e KFOR-it, do të bëjnë inspektimin e urës, për të parë gjendjen e saj nga aspekti i sigurisë. Nëse ekspertët konstatojnë se janë të nevojshme aktivitete për renovimin e saj, atëherë ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Për inspektimin e urës është e domosdoshme që ajo të ndalohet për qarkullim dy ditë radhazi, ndërsa që po qese është i nevojshëm meremetimi i saj, atëherë duhen më shumë ditë, prandaj jemi këtu që të kërkojmë mendimin dhe mbështetjen tuaj, në mënyrë që bashkërisht ta kryejmë këtë punë”, tha ndër të tjera komandanti Schuler.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe komandanti i Stacionit jugor të policisë, Ahmet Gjosha, mirëpritën iniciativën e KFOR-it për inspektimin dhe meremetimin eventual të urës së lartpërmendur.
Ata thanë se janë të gatshëm në çdo kohë, kur KFOR-i vendos të veproj në këtë drejtim, të përmbushin pa u hamendur kërkesat që kanë për qëllim krijimin e kushteve për inspektim dhe renovim nëse ka nevojë, duke vënë shenjat përkatëse për ndalimin e qarkullimit nëpër urë dhe duke marrë masa të tjerë të duhura.