Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka njoftuar se ka qëndruar në Hagë, ku ka vizituar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ismaili ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite është takuar edhe me ekipin mbrojtës të Veselit, në prag të vendimit që ai e cilëson si vendim të rëndësishëm për, siç shprehet, “lirinë e çlirimtarëve tanë”.
“Në Hagë, vizitë Kadri Veselit. Me ekipin mbrojtës të tij, duke bërë përgatitjet e fundit për vendimin e madh për lirinë e çlirimtarëve tanë”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka theksuar se, sipas tij, padrejtësitë nuk e zbehin dinjitetin e atyre që kanë shërbyer për lirinë e Kosovës.
“As kjo padrejtësi e fundit ndaj historisë sonë nuk e zbeh dinjitetin e atyre që i shërbyen lirisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ismaili ka nënvizuar besimin në drejtësi dhe qëndrimin për të vërtetën.
“Besimi në drejtësi mbetet i palëkundur, ashtu si qëndresa për të vërtetën”, shtoi Ismaili.