Derisa Uruguai dhe Rusia i kanë fituar dy ndeshjet e para të tyre në botëror, është përfaqësuesja nikoqire që ka impresionuar më shumë, duke shënuar tetë gola dhe duke pranuar vetëm një.
Pasi vetëm më vonë do të mësohet kundërshtari i parë në fazën nokaut, mbetet të shihet se cilat do të jenë avantazhet e përfaqësueses që e fiton garën për vendin e parë në grupin A, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Rusia e Uruguai tashmë janë në një të tetën e finales, por ndeshja e tyre do të vendosë për vendin e parë në grup.
Në ndeshjen tjetër mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit do të vendoset vetëm për vendin e tretë. Të dyja këto përfaqësuese kërkojnë pikët e para pas humbjeve nga Rusia e Uruguai.
Fitoret 1:0 të Uruguait ndaj Egjiptit dhe Arabisë Saudite janë mbështetur në mbrojtjen stabile, me sulmuesit yje Luis Suarez e Edinson Cavani ende në kërkim të formës më të lartë. Cavani nuk ka shënuar ende, ndërsa Suarez shënoi golin e vetëm në fitoren ndaj arabëve.
Rusia është përfaqësuesja më së ulëti e ranguar në botëror, por ka tejkaluar pritjet duke fituar bindshëm dy ndeshjet e deritashme dhe duke siguruar vend në fazën nokaut. Ndonëse i duhet një pikë për të siguruar vendin e parë në grupin A, përzgjedhësi i Rusisë, Stanislav Cherchesov ka thënë se rusët nuk do të ndryshojnë qasjen e tyre.