Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), ka shënuar themelimin e Asociacionit Alumni, i cili bashkon të gjitha gjeneratat e diplomuara me qëllim të krijimit të bashkëpunimit dhe lidhjeve në mes tyre dhe Universitetit.
Asociacioni Alumni do t’i shërbej Universitetit, të diplomuarëve dhe studentëve. Ky rrjet do të kontribon në zhvillimin e Universitetit përmes angazhimit të studentëve në aktivitete, si dhe do të veproj në krijimin e një pasqyre pozitive të Universitetit dhe alumnive.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari falënderoi të gjithë të diplomuarit e pranishëm për pjesëmarrjen dhe uroj që bashkarisht të arrijnë suksese.
“Ju jeni ata të cilët keni mundësi ta zhvilloni institucionin tonë dhe do të jeni promovuesi ynë më i mirë në arenën regjionale dhe ndërkombëtare. Jeni pjesë e përhershme e Universitetit dhe që nga sot, do të kemi mundësi të lidhemi me njëri-tjetrin më shumë. Jeni të mirëpritur çdoherë për të dhënë idetë tuaja dhe ne do të mledhim idetë dhe kreativitetet tuaja për të mirën e institucionit . Deri tani kemi pas Bordin Industrial, i cili na ka ndihmuar shumë në përpilimin e planprogrameve, ndërsa tani jeni edhe ju ata të cilët do të ndihmoni në këtë drejtim dhe bashkarisht jamë i bindur që do ta qojmë përpara institucionin”, tha Rektori.
Rektori Bajraktari foli edhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar institucioni me vite të tëra, gjë që shumica nga të diplomuarit e pranishëm i kanë përjetuar. Po ashtu, ai foli edhe për hapësirat moderne të krijuara në Universitet, laboratoret, stafin akademik dhe administrativ, etj.
Ndërsa, Arlind Islami shtoi se ndihmesa e profesorave të UShAF në orientimin e studentëve i ka bërë të ndjehen më të sigurtë dhe si rezultat shumica të punësohen nëpër ndërmarrje të ndryshme. Sipas Arlindit, ky rrjet do ta përmirësoj imazhin e Universitetit në të cilin kanë studiuar ata.
Gjatë kësaj ngjarje u zgjodh Grupi Punues, i cili do të hartoj Rregulloren e Punës së Alumni. Grupi Punues përbëhet nga studentët e diplomuar dhe stafi i UShAF-it.