Diarreja dhe problemet e tjera të tretjes janë shumë të shpeshta gjatë stinës së verës dhe goxha të mundimshme. Zgjidhjet e gabuara ushqimore mund ta përkeqësojnë edhe më problemin. Mjeku.Net ju sjell disa ushqime të cilat duhet t’i shmangni ose t’i konsumoni me kujdes, në rast se keni problem me diarrenë ose probleme të tjera me tretjen.
Ushqimet e fërguara: Nxitës të diarresë
Konsumimi i ushqimeve të skuqura (të fërguara), të cilat janë të pasura në yndyra, mund të rezultojë me diarre. Salcat e pasura, prerjet e mishit me dhjamë, dhe ëmbëlsirat me gjalpë ose kajmak mund të shkaktojnë mundim, po ashtu. Zgjidhni ushqime të pjekura dhe salca të lehta të cilat përmbajnë perime në vend të gjalpit ose kajmakut.
Agrumet: Ngarkojnë zorrët
Për shkak se frutat e grupit të agrumeve janë të pasura në fibra, ato mund të shkaktojnë mbingarkesë të zorrëve për disa njerëz. Andaj hani me kujdes portokajtë, grejpfrutin dhe frutat tjera agrume nëse tretja juaj duket e trazuar.
Sheqeri artificial: Diarre, ngërçe
Përtypja e tepruar e çamçakëzëve pa sheqer me sorbitol është gjetur se shkakton diarre dhe ngërçe. Të ngrënit e më shumë se 50 gramë sorbitol në ditë mund t’u japë zorrëve tuaja probleme. Megjithatë nuk janë vetëm çamçakëzët – sasia e tepruar e cilitdo ushqim të bërë me ëmbëltues artificial mund t’u shkaktojnë diarre. Arsyeja: organizmi juaj nuk mund ta tretë sorbitolin.
Shumë fibra: Gazra dhe fryrje
Ushqimet e pasura me fibra si drithërat e plota dhe perimet, janë të mira për tretje. Por nëse ju filloni të hani shumë prej tyre, sistemi juaj tretës mund të ketë probleme të adaptohet, duke rezultuar me gaz dhe fryrje. Rriteni sasinë e ushqimeve të pasura me fibra në mënyrë graduale (jo përnjëherë).
Fasulet: Gazra dhe ngërçe
Duke qenë një burim i zakonshëm i problemeve, fasulet përmbajnë sheqer të patretshëm që mund të shkaktojë gazra dhe shtrëngime. Organizmi i njeriut nuk ka një enzimë e cila zbërthen këto sheqerna. Bakteret e pranishme në zorrë e bëjnë punën e tyre, duke krijuar gazra gjatë procesit. Zieni fasulet për së paku katër orë dhe zbrazni ujin për të eliminuar ca përbërës sheqeror të patretshëm.
Lakra: Gaz dhe probleme me tretjen
Lakrat dhe perimet tjera të ngjashme, përfshirë brokolit, përmbajnë të njëjtat sheqerna të patretshme të cilat i përmbajnë edhe fasulet. Përmbajtja e lartë e fibrave po ashtu mund t’i bëjë ata të vështira për t’u tretur nëse hahen në tepricë. Gatimi mund të ndihmojë reduktimin e problemit.
Fruktoza: Diarre, fryrje, shtrëngime
Ushqimet e ëmbla me fruktozë – përfshirë pijet me gaz, sheqerkat, lëngjet e pemëve dhe brumërat – janë të vështira për t’u tretur nga disa njerëz, duke çuar kështu në diarre, fryrje, ngërçe dhe probleme të tjera.
Djegësit: Thartirë dhe mostretje
Disa njerëz përjetojnë vështirësi në tretje ose aciditet të tepruar pasi hanë ushqime pikante, veçanërisht pas ndonjë vakti kryesor. Disa hulumtime kanë treguar se përbërësi i specave djegës, i quajtur kapsaicin, mund të shkaktojë aciditet.
Produktet e qumështit: Probleme me tretjen
Nëse jeni jotolerant në laktozë, produktet e qumështit mund të shkaktojnë diarre, fryrje, gaz, dhe probleme tjera intestinale. Sëmundja buron nga mungesa e enzimave të nevojshme për ta tretur laktozën, një sheqer i cili gjendet në qumësht dhe produktet e tij. Shmangni ose kufizoni këto produkte. Ose përdorni pika ose tableta që merren pa recetë dhe të cilat përmbajnë enzimën e cila tret laktozën.
Menta: Refluks dhe aciditet
Sheqerkat me shije mente mund të duket freskuese. Megjithatë menta relakson muskujt në pjesën e sipërme të stomakut duke lejuar ushqimin të rikthehet lart në ezofag (refluksi gastroezofageal) dhe të shkaktojë thartirë. Keqbërës të tjerë mund të jenë edhe çokollata ose kafeja. Ekspertët rekomandojnë të jeni të kujdesshëm me ushqimet problematike dhe t’i shmangni ato.
SI TË PËRBALLENI ME DIARRENË?
Diarreja mund të shkaktojë dehidrim, andaj sigurohuni të pini sa më shumë lëngje. Për të rregulluar tretjen, hani ushqim të butë, jo të pasur me yndyra dhe jo djegës. Megjithatë, rikthehuni kah ushqimi normal sapo simptomat të lehtësohen – brenda 24 deri në 48 orësh – për t’u siguruar se ju i merrni të gjithë lëndët e nevojshme ushqyese.
Tërshëra: Drithëra për të parandaluar diarrenë
Edhe pse ushqimet e pasura në fibra ndihmojnë më shumë në tretje dhe kapsllëk, fibrat nga drithërat si tërshëra, gruri dhe të tjera, duket se janë veçanërisht efektive edhe në parandalimin e diarresë.