Organizmi i njeriut gjatë gjithë jetës së tij akumulon stres dhe dëmtime që vijnë nga ambienti ku ai jeton. Në varësi të përbëries gjenetike të secilit, këto faktorë ambiental ndikojnë te dikush më shpejt e te dikush më ngadalë në plakjen dhe uljen e kapacitetit fizik.
Gjithkush që dëshiron të vlerësojë mirëqenien e tij fizike mund të bëjë një vlerësim të disa prej bio-parametrave:
1. Masa muskulore: në adoleshencë masa muskulare arrin kulmin e formimit të saj. Me kalimin e viteve ajo pakësohet duke arritur në 30% më pak në moshën 70-vjeçare. Ruajtja e masës muskulore dhe mundësisht rritja e saj e mban trupin në formë dhe e mbron nga plakja.
2. Masa e tepërt e dhjamit: plakja shoqërohet me rritjen e masës dhjamore e cila depërton në brendësi duke veshur organet. Sa më pak dhjam të mundemi të mbajmë në trup, aq më ngadalë do të plakemi.
3. Masa kockore: humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të pashmangshme nëse ne nuk ushqehemi si duhet, nuk marrim rreze dielli dhe nuk bëjmë aktivitet fizik.
4. Tension arterial i lartë: presioni i lartë predispozon plakje të parakohshme.
5. Peshë trupore e madhe: nëse pesha juaj është më shumë se 25 kg për m2 të gjatësisë plakja është e sigurt që do të qaset më shpejt seç duhet.
Ha pak, jeto shumë!
Ritmi me të cilin ne djegim kalori është domethënës për shpejtësinë me të cilën plakemi. Sipas studimeve, njerëzit që ushqehen me minimumin e kalorazhit -pa kaluar në uri- jetojnë më gjatë. Kjo mund të jetë edhe për faktin se kur ne marrim më pak kalori, trupi fillon të djegë më ngadalë energji dhe në këtë mënyrë zhvillon mekanizma mbrojtës që luftojnë edhe procesin e plakjes.
Zbato rregullin 80-20!
Sipas japonezëve, ata jetojnë më gjatë sepse çohen nga tavolina me stomakun pothuajse plot por jo plot! Të ngrënit deri aty ku stomaku nuk tërhiqet për të rritur volumin e përmbajtjes së tij ndihmon që të kontrollojmë më mirë urinë dhe ngopjen.
Të ngrënit shpejt shkurton jetën
Lidhja midis stomakut dhe trurit është një nga lidhjet më të komplikuara në organizmin tonë. Këto dy sisteme komunikojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të pandarë. Stomaku dërgon sinjale në trurin tonë si për të ngrënë ashtu edhe për të pushuar sê ngrëni. Kur ne hamë, stomakut i duhen rreth 20 minuta që të dërgojë në tru sinjalin se është i ngopur.
Mos lejoni që në këto 20 minuta të keni marrë sasi të pakontrolluar ushqimi! Sepse kjo sjell dhjamosje të padëshiruar! Hani ngadalë duke e bluar ushqimin derisa të mos kuptoni se çfarë copëzash keni në gojë.
Njeriu është krijuar të lëvizë
Qenia njerëzore është krijuar të lëvizë dhe të sigurojë jetën nëpërmjet lodhjes fizike. Meqenëse sot ndodh më shpesh që jetën e sigurojmë nëpërmjet lodhjes mendore, fiziku ynë thjesht akumulon ngarkesën kalorike.
Ndërkohë që organi që ne na siguron mbijetesën – truri – duhet t’i shërbejë trupit tonë dhe ta komandojë atë në mënyrë që edhe trupi t’i shërbejë trurit për të mbijetuar sa më mirë, ajo që ndodh sot është se të dy sistemet -trup dhe tru – nuk po gjejnë ekuilibrin e duhur. Truri punon – trupi dhjamoset! Kjo është e gabuar! Të dy këto sisteme duhet të jenë në funksion të njëri-tjetrit dhe të ndajnë punët pa lënë pas dore njëri-tjetrin!