Shpesh për sëmundje të ndryshme, secili prej nesh gjen shpëtim tek kurat natyrale, që vetë natyra i ka ofruar njeriut.
Sipas një studimi të viteve të fundit, Shoqata Botërore e Shëndetësisë pohon se 65 për qind e popullsisë në botë përdor ilaçet natyrale ose popullore për lehtësimin apo trajtimin e një problemi shëndetësor. Edhe për problemet me zorrët, tashmë mund të përdorni këto medikamente natyrale efektive!
Sëmundjet e zorrës, që prekin si funksionin sekretor, ashtu edhe atë lëvizës të këtij organi, mund të jenë pasojë e ndryshimeve lokale në mbulesën e mukozave dhe neuroreflektore (me anën e nervave) dhe humorale (me anën e substancave që gjenden në gjak).
Ndryshimet kryesore që vihen re në këtë trakt mund të përmblidhen si: në pakësimin ose shtimin e sekretimit të gjëndrave të zorrës, që ndikon në procesin e tretjes dhe të thithjes së substancave të ndryshme nga zorrët; në pakësimin ose shtimin e lëvizjes (peristaltikës) së zorrës si pasojë e ndryshimeve nervore ose muskulore në to; në çrregullimet nga parazitët ose mikroorganizmat, të cilët mund të shkaktojnë këto gjendje patologjike: tretje të ushqimit me vështirësi të shoqëruara me grumbullimin gazesh, meteorizëm; acarim, katar të mbulesës mukozë të zorrës të shoqëruar me dalje jashtë të shpeshta ose me heqje barku, diarre, kapsllëk (konstipacion) të shoqëruar me dhembje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, zhvillim të parazitëve dhe të mikrobeve, të cilat dëmtojnë mukozën, helmojnë organizmin me produktet e tyre jetësore ose shkaktojnë mahisjen (inflamacionin) e mbulesës mukoze, që shoqërohet me dhembje, heqje barku ose kapsllëk.
Dieta edhe në këtë sëmundje ka rëndësi të veçantë dhe si rregull, duhet përdorur ushqimi i lehtë që asimilohet shpejt dhe që nuk formon shumë celulozë. Mjekimi i kolitit bëhet, në radhë të parë, me bimë mjekësorë që përmbajnë taninë me veprim antiseptik (fenole dhe polifenole), me bimë me esenca që kanë veprim antiinflamator dhe ato me mucilagje dhe pektina.
Çajet që përdoren për mjekimin e kolitit duhet të merren për një kohë të gjatë, për një efekt më të mirë. Një lloj çaji duhet të zëvendësohet herë pas here me një lloj tjetër. Çaji mund të përzihet me lëngje frutash për të rregulluar shijen e tij. Për mjekimin e kolitit ka dhënë rezultate të mira kura me bar majasëlli (Teucrium polium), e cila vazhdon 20 ose 30 ditë. Kujds! Bari i majasëllit jep gjumë.
Respektimi i regjimit ushqimor duke marrë ushqim të pasur me celulozë (barishte) dhe duke bërë lëvizje, gjimnastike, ecje te gjata dhe shëtitje në ajër të pastër është faktor që parandalon lindjen e kapsllëkut.