Punëtorë të shoqërisë aksionare ”Ushqimi shoqëror”, që punojnë në mensat të cilat përgatisin ushqim për punëtorët e Korporatës së Energjetike të Kosovës, kanë protestuar para KEK-ut dhe Qeverisë, me kërkesën për t’i rikthyer në vendin e tyre të punë, raporton Ekonomia Online.
Para një viti KEK-u ka larguar nga menaxhimi “Ushqimin Shoqëror”. Punëtorët e larguar nga puna thonë se kjo kompani ka pasur tender me KEK-un deri më 24 qershor të këtij viti.
Remzije Isufi, kryetare e Sindikatës “Ushqimit Shoqëror”, tha se 43 punëtorë kanë mbetur pa punë.
“Kemi 43 punëtorë dhe kemi mbetur pa punë nga qeverisja e kaluar. Kemi dalë para KEK-ut që m’i bo thirrje t’i dëgjojë hallet e punëtorëve që kanë mbetur pa punë qe një vit. Edhe ne jemi banorë të këtij shteti. Gjatë pandemisë kemi mbetur pa punë. Ma nuk na kanë marrë parasysh dhe nuk kemi m’i ndalë protestat deri të na marrin parasysh. Për 4 vjet e kemi pasur tenderin. Një herë kemi pasur takim me zëvendësministrin por s’ka asgjë. 24 qershor na skadon kontrata e tenderit”.
Kryetari i sindikatës KEK, Nexhat Llumnica, tha se si sindikatë e përkrahin kthimin e këtyre punëtorëve në KEK.
“Këta punëtorë kanë kontratë deri në fund të qershorit dhe është dashtë të kthehen në punë dhe nuk janë kompensua përveç dy pagave nga qeveria Hoti dhe Kurti. Kërkesa e punëtorëve është që të kthehen në KEK. Ne si sindikatë i përkrahim këta punëtorë për t’u kthyer në KEK. Na prej qeverisë jemi duke kërkuar dhe kemi pasur takim me zëvendësministren e Zhvillimit Ekonomik dhe na ka premtuar se do të shikojë procedurat e ligjshme që këta punëtorë të kthehen në KEK por nuk ka vendim të tillë ende as nga Bordi as nga Ministria. Realisht kanë pasur çdo 3 vjet tender”.
Ndërsa, Sylejman Hashani, nënkryetar i Sindikatës Ushqimit Shoqëror, tha se janë larguar padrejtësisht nga puna.
“Kemi ardhur për protestë dhe kjo është e katërta me radhë. Unë jam i punësuar në KEK, 35 vjet përvojë punë dhe krejt e kemi librezën. Ata luajnë me ne si maca me miun. Në vitin 2006 KEK i ka larguar 1000 punëtorë. Qeveria Kurti 1 ka premtuar se do të merret me punëtorë të KEK dhe do të bëjë të pamundurën m’i kthye. Erdhi qeveria 2 jo vetëm që nuk po i intereson po ka tjera halle. Tenderimet janë në pyetje prej 13 mars 2020 na kanë largu padrejtësisht. E kanë gjetur arsyen po i rinovojnë menzat. Është ka përgatitet për një kompani. 40 punëtorë jemi pa punë. 100 euro rrogë kemi punuar vetëm mos me falimentua këtë organizatë.