Rreth 130 ushtarë të KFOR-it janë paraqitur në mënyrë vullnetare për të dhuruar gjak në kampin qendror të KFOR-it “Film City”, raporton Ekonomia Online.
Doktoresha e Transfuzionit të Gjakut, Hidije Magutaj, tha për Ekonomia Online se numri i ushtarëve që janë lajmëruar për të dhuruar gjak është 130.
“Numri i ushtarëve që janë lajmëruar për të dhuruar gjak është 130. Më së pari pacientet u janë shumë mirënjohës dhuruesve të gjakut. Varësisht nga interesimi dhe vullneti i tyre aq kemi edhe dhurues të gjakut”, tha ajo
E një ushtare e KFOR-it hungarez, Maria Botyanszki, tha se është hera e parë që dhuron gjak në Kosovë.
“Është hera e parë që dhuroj gjak në Kosovë dhe është shumë e rëndësishme kur shpëton jetën e dikujt”, tha ajo.
Rreshtermajori i komandës, Tamas Sziros, tha se kjo ngjarje jo vetëm që e ndihmon Qendrën e Transfuzionit por edhe qytetarët e Kosovës.
“Sot është një nder shumë i madh për neve që po organizojmë një ngjarje të tillë e cila nuk iu ndihmon vetëm autoritete vendore të Kosovës por edhe qytetarëve të Kosovës dhe thirrja për një kauzë kaq të mirë iu kanë përgjigjur kaq shumë ushtarë. Ndihem shumë me fat”, tha ai.